Policia turke ka arrestuar Ali Avci, regjisorin e një filmi biografik për fëmijërinë e presidentit, Recep Tayyip Erdogan dhe karrierën e tij të hershme politike si kryebashkiaku i Stambollit, njoftoi sot agjencia turke e lajmeve, Dogan.

Filmi miklues “Reis” (”Lideri”), u shfaq këtë vit dhe kritikat ndaj tij ishin jashtëzakonisht negative.

Sipas Dogan, Avci është akuzuar si gylenist.

Turqia ka fajësuar Fethullah Gylen, një klerik mysliman me banim në SHBA për organizimin e përpjekjes për grushtin e shtetit  vitin e kaluar, por këto akuza janë mohuar nga kleriku.

Traileri i filmit të fundit të Avcisë “Uyanis” (Zgjimi), u shfaq në kinema këtë javë.

Në këtë film përshkruhet një skenar për grusht shteti i cili rezulton i suksesshëm në Turqi, duke u kthyer mbrapsht në kohë dhe duke u përpjekur të japë një rezultat ndryshe nga ai i vitit të kaluar.

Traileri është i dhunshëm, ku përfshihen skena në të cilat puçistët mbajnë një armë në kokën e Erdoganit ndërsa ai po lutet pasi anëtarët e familjes dhe këshilltari i tij i lartë janë vrarë brutalisht.

Qeveria turke ka përkujtuar këtë javë përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit vitin e kaluar nga një fraksion në ushtri, që u zhvillua natën e 15 korrikut.

Media në Turqi ka kritikuar negativisht trailerin e filmit mbi jetën e presidentit turk, Erdogan.

Shpërndaj me