Bujqit nga rajoni i vërshuar i Shkupit, para mbjelljes së sipërfaqeve, rekomandohet që të dërgojnë një pjesë të truallit në analizë që të vërtetohet se çfarë mund të mbillet. Analizat kushtojnë 1200 denarë, pas çka shteti do t’ua kthej 70% ose më saktë 840 denarë.

“Rekomandimet tona janë që të kultivohen bimë shumëvjeçare, legumioze që para se gjithash do ta përmirësojnë strukturën e tokës pasi ato janë të dedikuara për këtë gjë, ndërsa në disa pjesë bujqit lirshëm mund të vazhdojnë t’i kultivojnë bimët që i kanë pasur më herët”, tha Tatjana Mitkova, profesoreshë universitare.

Njohësit e kësaj fushe paralajmërojnë se rajoni i Tetovës, Shkupit, Strumicës dhe Pellagonisë janë më të rrezikuara nga vërshimet. Kjo ka të bëjë me ndryshimet klimatike, thonë nga federata e fermerëve. Prej atje shtojnë se është shumë më e rëndësishme që bujqit të fillojnë me sigurimin e të mbjellave, ndërsa kopshtet t’i mbrojnë me rrjeta, me çka do të pengohet dëmtimi i tyre. Nga federata nuk mendojnë se janë vonuar me këshillat për bujqit të cilët pësuan nga vërshimet.

“Po përpiqemi të mos jetë shumë vonë. Besoj se në të ardhmen do të jemi më shumë prezent në terren që të punojmë së bashku”, u shpreh Nikola Stamenov, Kryetar i Federatës së fermerëve.

Nga federata e fermerëve kërkuan që bankat të fillojnë të japin kredi më të volitshme bujqësore, që mund të shfrytëzohen për mbrojtje agro-teknike të të mbjellave.

Verica Pavllovska

Shpërndaj me