Zgjerimi i Bashkimit Evropian, sfidat me të cilat përballen vendet nga rajoni, si dhe sfidat e përgjithshme me të cilat përballet Evropa, ishin pjesë të temave për të cilat biseduan zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini.

Në takim, Osmani e theksoi realizimin e suksesshëm të Planit 3-6-9, i cili pret, deri në fund të implementimit të tij, në tërësi t’i reflektojë kërkesat e Unionit për reforma në Maqedoni, që në afat adekuat do të ishin implementuar.

Zëvendëskryeministri, siç kumtoi SÇE, e transmetoi qëllimin e Qeverisë, që me guxim dhe pozitivisht të përkushtohet në mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura politike, mes të cilave edhe kontesti me Greqinë për përdorimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë.

Në atë kontekst, Osmani vuri theksin edhe në pritjet e Qeverisë, por edhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, për hapa konkret nga ana e Unionit, të cilët do të ishin në kahje të dukshmërisë së perspektivave evropiane të Maqedonisë.

Osmani e veçoi edhe qëndrimin e kryetarit të Komisionit evropian, Zhan-Klod Junker, i cili në Fjalimin e tij vjetor drejtuar Unionit, potencoi se për një BE të sigurt, nevojitet të mbahet proces kredibil i zgjerimit të Unionit me vendet nga Ballkani Perëndimor.

Kjo, konsideron Osmani, nuk do të jetë e mundur nëse Komisioni nuk e fut edhe Maqedoninë në strategjinë e vet për zgjerim të Unionit deri në vitin 2025, e cila do të përgatitej në fillim të vitit të ardhshëm, por edhe me hapa të tjerë konkret që do të paraqisnin bazë për përforcim të mëtutjeshëm të optimizmit evropian në vend dhe rajon.

“Nuk është e mundur të ketë kredibilitet të procesit të zgjerimit, pa qenë Maqedonia pjesë e strategjisë së KE-së për zgjerim të Unionit”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se janë krijuar kushte adekuate që viti 2018 të jetë vit historik për Maqedoninë nga aspekti i ambicieve eruoatlantike, për kur pritet të arrihet përparim që do ta mbyllë çështjen për BE dhe NATO në Maqedoni.

Kjo, potencoi Osmani, është me rëndësi për Unionin, në mënyrë që të mundet më lehtë të përballet me sfidat e reja, aq më me rëndësi për stabilitetin e rajonit, ndërsa më me rëndësi për Republikën e Maqedonisë, e cila nuk guxon t’i lejojë vetes ta humbë këtë moment të optimizmit evropian.

Shpërndaj me