Tentimi dy orësh për të prolonguar seancën gjyqësore përfundoi pa sukses për mbrojtjen e të akuzuarve në rastin “Trust”, pasi që prokurori nga Prokuroria Speciale, Artan Ajro, personalisht ua dorëzoi dëshmitë avokatëve. Për shkak të kësaj, duhej doemos të fillojë debati kryesor. “Trust” është lënda me të cilën PSP-ja akuzon tre persona dhe tre kompani për tender të fituar në mënyrë të paligjshme prej 17 milionë euro për gërmimin e thëngjillit në “TEC Manastiri”. I akuzuari i parë është biznesmeni Sead Koçan, i cili para gjykatës deklaroi se është i pafajshëm. Të njëjtën e thanë edhe dy të tjerët, si dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve “Transmet”, “Sileks Nemetali” dhe “Vato”. Por, nga PSP-ja shprehen se kanë dy dëshmitarë të cilët në procedurën e mëtejshme do t’i konfirmojnë dëshmitë.

Nuk ka ushtrim të ndonjë pune nëse ke ardhur pa dokumentacion të vlefshëm. Rreziku në të cilin hyn me punën e tillë është i yti. Ti vetë e di se je duke hyrë, por në mënyrë kriminale, e më pas nëse të zënë, do t’i kthesh ato 17 milionë euro – tha Gavrill Bubevski, prokuror nga Prokuroria Speciale.

Prokurori Bubevski bëri të ditur se nëse dëshmohet se ish-kryeministri Gruevski dhe ish-drejtori i ELEM-it Vllatko Çingovski e kanë ndihmuar veprën penale, pasi ata janë në bisedën përgjuar të publikuar për këtë rast, është e mundshme që aktakuza të zgjerohet. Gjykatësja Lidija Trajkovska Zambevska, e cila kryeson trupin gjykues në këtë rast, caktoi dhjetë termine për gjykim deri në Vitin e Ri për këtë lëndë.

Alsat-M

Shpërndaj me