Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, i bëri thirrje Mianmarit që t’i marrë qindra-mijëra myslimanët Rohingya që kanë ikur nga dhuna në shtetin Rakhine.

Gjatë vizitës në një kamp të refugjatëve, ajo tha se Mianmari duhet ta shohë situatën me humanizëm, sepse “njerëz të pafajshëm janë duke vuajtur”.

Rreth 370,000 myslimanë kanë ikur nga Mianmari në Bangladesh, prejse ka shpërthyer dhuna në fund të muajit të kaluar.
Refugjatët akuzojnë forcat e sigurisë në Mianmar dhe turmat budiste për djegien e fshatrave të tyre.

Qeveria thotë se forcat e sigurisë janë duke iu përgjigjur një sulmi të militantëve Rohingya kundër postblloqeve policore, që ka ndodhur më 25 gusht.

Shtëpia e Bardhë e dënoi sërish dhunën.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me krizën e vazhdueshme në Mianmar, ku së paku 300,000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre, pas sulmeve ndaj postblloqeve të sigurisë më 25 gusht”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Shpërndaj me