Mbarëvatja e procesit zgjedhor është shumë e rëndësishme për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Ardita Imeri nga Instituti për Politikë Evropiane thotë se në këtë test të demokracisë, qytetarët por edhe partitë duhet të tregojnë pjekuri, në mënyrë që vendi të bëjë edhe një hap më afër drejt BE-së.

Ne dy vite me radhë jemi të kushtëzuar nga Komisioni Evropian për të pasur zgjedhje kredibile dhe ajo nuk do të thotë vetëm që ne t’i mbajmë zgjedhjet, por do të thotë mos të ketë edhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Ne si shtet duhet të tregojmë se jemi të pjekur për të mbajtur zgjedhje të tilla, për të organizuar dhe pastaj për t’i pranuar rezultatet çfarëdo qofshin. Tani është shanca që Republika e Maqedonisë të tregojë se është e përgatitur dhe mund ta kalojë testin që më andej të futet në rrugën euro-atlantike dhe të fitojë rekomandimin për t’i hapur negociatat anëtarësuese- deklaroi Ardita Imeri, Instituti për Politikë Evropiane.

Profesori universitar, Veton Latifi vlerëson se nëpërmjet zgjedhjeve lokale, vendi dërgon mesazh ndërkombëtarëve për nivelin e kulturës politike por edhe atë se sa është i gatshëm t’i respektojë rekomandimet e BE-së për zgjedhje të rregullta.

Çdo lloj incidenti gjatë procesit zgjedhor sidomos në ditën e votimit është një sinjal shumë I vrazhdë, shumë I shëmtuar për procesin politik në përgjithësi, për kulturën politike, për vetë institucionet demokratike të Republikës së Maqedonisë. Poashtu çdo lloj incidenti do të dëmtonte dukshëm jo vetëm imazhin, por do të dëmtonte edhe rrugëtimin e Republikës së Maqedonisë. Duhet patur kujdes që të shfaqet njëkohësisht dhe një maturi politike dhe që të gjitha interesat e ngushta partiake të shikohen nga një këndvështrim më të gjerë dhe nga një objektiv më madhor, ai është interesi I integrimeve euro-atlantike- deklaroi profesori universitar, Veton Latifi.

Edhe ambasada amerikane zgjedhjet e 15 tetorit i cilësoi si të rëndësishme për ardhmërinë e vendit. Ndërsa ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar ditë më parë dërgoi porosi të qartë për Qeverinë dhe partitë politike, se zgjedhjet lokale duhet të jenë më të mira se zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.

Anesa Saliu

Shpërndaj me