Dokumenti i njoftuar nga VMRO-DPMNE-ja ku pritet të shpaloset strategjia e partisë së Nikolla Gruevskit për zgjidhjen e krizës politike, nuk është i mirëpritur nga një pjesë e partive politike. Nga LSDM-ja deklarojnë se ky është tentim i Gruevskit për t’u faktorizuar përsëri në skenën politike kurse dokumentet e tij për dhjetë vite kanë shkatërruar jetën e njerëzve në Maqedoni.

 Nikolla Gruevski e krijoi këtë krizë. Ai nuk mundet të jetë pjesë e zgjidhjes së saj. Gruevski i defaktorizuar dëshpërimisht përpiqet që përsëri të bëhet faktor në politikën në Maqedoni. Populli I tha lamtumirë atij dhe tashmë është e shkuar, në politikë dhe nga ai nuk mund të presim asgjë që mund t’i sjellë të mirë këtij shteti – deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Qëndrim refuzues mban edhe partia e Bilall Kasamit. Lëvizja Besa shkurt për Alsat thotë se Gruevski nuk mund të ofrojë zgjidhje të krizës.

Ata që kanë shkaktuar krizën, nuk mund të pritet që të jenë edhe zgjidhës të saj – thonë nga Besa.

Nga BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, nuk u prononcuan nëse do të pranonin të shqyrtonin propozimin e VMRO-DPMNE-së për zgjidhjen e krizës. Gruevski një ditë më parë deklaroi se partia e tij po përgatit një dokument i cili do të paraqesë zgjidhje reale për krizën pa favorizuar asnjërën nga partitë ose bashkësitë etnike në vend.

 Ne përgatisim edhe një dokument politik për dalje nga kriza i cili është pothuajse gati, i cili do të ofrojë mënyrë për dalje nga kriza aktuale. Ky dokument nuk favorizon askënd as si parti politike dhe as si bashkësi etnike por ju ofron të gjithë partive që përmes pranimit të tij të dilet nga kriza politike por të ruhet uniteti i vendit dhe të mos shkohet drejt shkatërrimit të vendit tonë të cilën vështirë e kemi fituar – deklaroi ish kryeministëri Nikolla Gruevski.

Gruevski nuk dha detaje mbi përmbajtjen e këtij dokumenti por publikisht tashmë një kohë të gjatë kërkon zgjedhje të reja parlamentare.

Fatlume Dervishi

Shpërndaj me