Rruga”Dimitar Berovski” në Shkup gjendet dhjetëra metra larg nga Ministria e punëve të brendshme. Në këtë rrugë janë regjistruar 95 votues, por një adresë te vret syrin. Personat me emra Emine Isak dhe Jurk Kijmeta kanë letërnjoftim dhe pasaportë në shtëpinë me numër 0000, kurse një objekt i këtillë fare nuk ekziston.

170 kilometra nga rruga Dimitar Berovski dhe objekti i MPB-së ndodhet fshati i Manastirit, Optiçari. Para zgjedhjeve të kaluara, mediat raportuan se në Listën Zgjedhore ka persona të vdekur mes 262 votuesve të regjistruar.

Sipas kësaj që ju na dhatë, në Optiçari momentalisht ka rreth 240 banorë. Nga ata, 50 deri në 60 persona nuk kanë të drejtë vote, sepse janë të mitur. Nëse shkojmë sipas kësaj që ju po e lexoni sipas listës, 260, do të thotë mbi 60 njerëz fare nuk ekzistojnë. Nga këto që m’i lexuat ka mjaftë që jetojnë në Kanada, Australi, të vdekur ka shumë që nuk janë fshirë. Sipas kësaj që shohim tek ne, lista nuk është pastruar – u shpreh Todor Trajanovski, Banor i Fshatit Optiçari.

Si është e mundur që në Listën Zgjedhore përsëri të ketë njerëz që nuk jetojnë më, por edhe votues me adresa jo-ekzistuese?

Njëra nga përgjigjet mund të jetë fakti se në zgjedhjet e fundit në vitin 2016, nga numri i përgjithshëm i votuesve në vend, 170 mijë u futën në listë të veçantë, sepse kontrolli tregoi se me gjasë gjenden jashtë Maqedonisë. Për më tepër, 30 mijë votues të tjerë u hoqën tërësisht nga lista dhe nuk u lejuan të votojnë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Por, sipas marrëveshjes mes partive, të gjithë këta votues tani janë kthyer në Listën Zgjedhore. Njëra nga këta votues është edhe Vlladimir Varellov, identiteti i dytë i ish funksionarit të DSK-së, Goran Grujevski. Edhe pse bëhet fjalë për personin e njëjtë, dy identitetet janë dy votues të ndryshëm në një vendvotim të njëjtë. Nëse nuk do të ishte përndjekja e organeve të rendit, edhe Grujevski edhe Varrelov mbase do të mund të votonin veç e veç, me kusht që ish agjenti i policisë ta transformojë dukjen fizike mes dy votimeve.

Për praninë e tyre serishme në shënime të kontestueshme, KSHZ-ja thotë se bëhet fjalë për të dhëna që i kanë marrë nga institucionet tjera.

Lista e zgjedhësve, si dokument publik është e përbërë prej të dhënave që Komisioni shtetëror i zgjedhjeve i merr nga MPB-ja, nga Drejtoria për udhëheqjen e librave amë dhe nga Gjykatat themelore. Saktësia e të dhënave në listën e zgjedhësve varet nga saktësia e të dhënave që KSHZ-ja i merr nga këto institucione. Megjithatë, duhet doemos të kemi parasysh se të dhënat në listën e zgjedhësve u nënshtrohen ndryshimeve të përditshme kështu që në asnjë moment nuk mund të pohojmë se lista e zgjedhësve është tërësisht e saktë -deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e komisionit shtetëror të zgjedhjeve.

Nga ana tjetër nga MPB-ja topin ia hedhin KSHZ-së.

MPB-ja nuk merr pjesë në krijimin e listës së zgjedhësve, e as që ka qasje në metodologjinë e përpunimit të saj. Nëse dikush kërkon nga MPB-ja që të kontrollohen të dhëna për persona të caktuar për të cilët ekziston dyshimi se janë të pavërteta, MPB-ja do të bëjë kontrollimin, gjegjësisht do të vendosë procedurë përkatëse në përputhje me rregullat që e rregullojnë materien konkrete”, thanë nga MPB.

Përkundër hedhjes së topit, sipas ligjit edhe KSHZ-ja edhe MPB-ja kanë kompetencë për të bërë kontrollime të dosjeve të qytetarëve të cilat janë kontestuese. Sipas Darko Aleksov nga MOST pikërisht mënyra e udhëheqjes së listës së zgjedhësve është një nga problemet kryesore.

Në fakt të gjitha këto gjëra që na ndodhnin gjatë viteve të kaluara tregojnë se mosbesimi në procesin zgjedhor fillon që nga vetë koncepti i krijimit dhe azhurnimit të kësaj baze të të dhënave të zgjedhësve – u shpreh Darko Aleksov, drejtor ekzekutiv – MOST.

Udhëheqja dhe azhurnimi i listës së zgjedhësve përmes të të dhënave nga MPB-ja dhe nga Drejtoria e librit amë është sistem të cilin Maqedonia me siguri do ta ndryshojë. Në vend të udhëheqjes së bazës së të dhënave, njëra alternativë është që secili që dëshiron të votojë së pari duhet të paraqitet. Mënyra e dytë është që shteti të udhëheqë regjistër unik të qytetarëve prej ku do të merren të dhënat edhe për listën e zgjedhësve. Ministria e shoqërisë informatike tashmë ka filluar një projekt të tillë me para nga Bashkimi Evropian.

Alsat-M

Shpërndaj me