Ndërkohë që propozim-ligji për mediat ka ngecur nëpër labirintet e institucioneve dhe akoma nuk ka kaluar në Qeveri, Radio Televizioni i Maqedonisë ka rizgjedhur drejtorin e deritanishëm, Marjan Cvetkovski. Vendimi Këshillit programor për rizgjedhjen e Cvetkovskit vjen një muaj përpara se të skadojë mandati i tij. Këtë zgjedhje Qeveria e konsideron si vazhdimësi e funksionimit të deritanishëm politik të servisit publik dhe zotohen se me miratimin e ligjit të ri për mediat, do të pushojë edhe mandati i tij. Bashkë me të, pritet të pushojë edhe mandati i anëtarëve të Këshillit Programor të servisit publik.

Qeveria nuk ka asnjë lidhje me këtë zgjedhje. Kjo zgjedhje është vendim i Këshillit programor të TVM-së i cili akoma funksionon me përbërjen e vjetër. Qytetarët e Maqedonisë shumë mirë e dinë se kush merr pjesë në këtë përbërje të vjetër, në çfarë mënyre punon dhe nën ndikimin e kujt si dhe si është bërë kjo zgjedhje. Menjëherë pas miratimit të ligjit të ri për Shërbime audio dhe audio-vizuale do të mundësohen pozita të reja profesionale dhe jopartiake. Kjo nënkupton se kjo përzgjedhje vlen deri kur të miratohet ligji. Ligji do të miratohet së shpejti -tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Në funksionin e drejtorit të RTVM-së Marjan Cvetkovski është që nga viti 2012. Për emërimin e tij ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sipas të cilave, Zgjedhja e Cvetkovskit është rezultat i trysnisë së fuqishme që ndaj anëtarëve të Këshillit programor që kanë ushtruar ish partnerët e koalicionit VMRO-BDI. Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave vlerëson se miratimi i Ligjit për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale është vonuar goxha kurse reformat e parapara me këtë propozim-ligj i konsideron si sipërfaqësore.

Me reformat e planifikuara të Pribesë tashmë kemi filluar të vonohemi në mënyrë shqetësuese. Është shqetësuese që ligji parashikon vetëm reformat e para që do të kenë natyre të ndryshimeve të personave, njerëzve në dy institucionet bazë. Unë shpresoj se Qeveria dhe ministrat do të përmbahen në atë premtim deklarativ se kjo është vetëm faza e parë dhe për një reformë të vërtetë do të duhet më thellë të hymë në ligj, në strukturë, dhe të tjera. Shpresoj të ketë një fazë tjetër – deklaroi Dejan Georgievski, Qendra për Zhvillimin e Mediave.

Propozim ligji i ri për mediat parashikon rregullimin e të drejtave televizive kurse Risi është ajo se të gjitha kabllorët do të kenë obligim t‘i ri emitojnë televizionet kombëtare tokësore. Kohë më parë, përfaqësuesit e mediave kërkonin uljen e gjobave për mediat si dhe përfshirjen e portaleve në ligj.

Fatlume Dervishi

Shpërndaj me