“Valltarit fluturues”, Rexhep Çeliku iu dha sot lamtumira e fundit .

Në homazhet për nder të tij në Muzeun Historik Kombëtar miq, të afërm, kolegë, artistë, dashamirës të artit, personalitete politike u mblodhën për ti dhënë lamtumirën  ‘Nderit të Kombit’ Rexhep Çelikut, i cili ndërroi jetë në orët e para të ditës së djeshme pas një sëmundje të rëndë, shkruan ATSH.

Homazhe në nderim të Çelikut zhvilloi edhe Presidenti Ilir Meta dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me vlerësimin e bërë Rexhep Çelikut vetëm pak ditë më parë, duke i dhënë Dekoratën “Nderi i Kombit” dhe si e kujton atë moment Presidenti Meta tha se “mund t’ju përmend një moment si kanë reaguar dje shqiptarët e Kroacisë, kur kanë mësuar këtë lajm tronditës dhe jam i bindur se të gjithë shqiptarët jo vetëm janë tronditur, por edhe janë përlotur, pasi nuk ka akt dhe nuk ka fjalë të mjaftueshme për të vlerësuar atë që për më shumë se 40 vite Rexhep Çeliku ka bërë për Shqipërinë, ka bërë për kombin shqiptar, ka bërë për shqiptarët kudo ku kanë jetuar, të cilët i ka ngritur peshë, i ka frymëzuar dhe i ka bërë krenarë që janë shqiptarë”.

Rexhep Çeliku ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve. Ai ka lindur më 19 korrik 1954 në Tiranë. Rexhep Çeliku, biri i një gjirokastriti, mjeshtër në nxjerrjen dhe gdhendjen e gurit, e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si “Valltari fluturues”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Ai ishte vërtetë fluturues në skenë, por edhe i rëndë në tokë, epitete këto që burojnë vërtetësisht nga karakteristikat e konceptit dhe realizimit që mjeshtri Çeliku

ka synuar të realizojë në profesionin e tij. Pasioni dhe përkushtimi ndaj valles popullore, dëshira për të dhënë gjithçka, në mënyrë të përkryer dhe bukur, në raport me simbolikën dhe estetikën e saj, larg çdo sforcimi, e bënë Rexhep Çelikun një nga valltarët më të talentuar që ka pasur Ansambli i Valleve.
Me një punë të vazhdueshme, të lodhshme, me një përkushtim dhe vullnet shembullor për artin, mbështetur mbi vlerat e trashëgimisë artistike në fushën e vallëzimit, Rexhep Çeliku përvetëson thellë nektarin e shpirtit shqiptar dhe prezantohet me vlerat e një kërcimtari që do të pushtonte skenën shqiptare, por jo vetëm.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien tronditëse “Njeriu që vallëzon me shqipet”
Ndërsa mjeshtri i poezisë popullore Lefter Çipa ka thënë për të “Rexhep Çeliku, fluturon edhe në majë të plumbit”.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien tronditëse “Njeriu që vallëzon me shqipet”
Ndërsa mjeshtri i poezisë popullore Lefter Çipa ka thënë për të “Rexhep Çeliku, fluturon edhe në majë të plumbit”.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqe në skena të ndryshme në tre kontinente, ka marrë pjesë në 30 festivale ndërkombëtare, ka interpretuar në më shumë se 3000 shfaqje artistike; ka merituar dhjetë Çmime të para “Si interpretuesi më i mirë”.

– Në vitin 1978 dekorohet me Medalje ari në Itali si valltari më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar.
-Në vitin 1996 dekorohet në Itali me Medalje argjendi.
– Në vitin 2000 merr çmimin e dytë në Festivalin Folklorik Botëror
-Në vitin 2000 dekorohet në Maqedoni (FYROM) me Medalje dhe Çmim të parë si koreograf.
-Në vitin 1983 dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të dytë.
-Në vitin 1987 dekorohet me Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të Parë.
-Më datën 18. 11. 2005, i jepet titulli “Nderi i Qarkut të Tiranës”.
-Më datën 8.12.2005 Presidenti i Republikës, Z.Alfred Moisiu, e nderon me titullin “Mjeshtër i Madh”.
-Në vitin 2011 nderohet me titullin e madh “Ambasador i Paqes”.
-Më 7 mars 2012 dekorohet në Maqedoni (FYROM) me titullin “Simbol i Paqes dhe i Lirisë”.
-Më 8 janar 2018 ai u dekorua me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Shpërndaj me