- Analistët: BDI duhet t’i thotë ‘mirupafshim’ koalicionit
- Kuvend, debat rreth certifikatave të sigurisë
- Rona Nishliu në finalen e Eurosong: Këngën ia dedikoj "Himarës"
- Sot ditë zie në Shqipëri
- Presidenti Ivanov e kupton frustrimin e Gruevskit
- OSBE alarmon për urrejtjen ndëretnike dhe ndërfetare
- Fronti opozitarë kërkon seancë urgjente
- Me vendim të Qeverisë, Spitali shtetëror do të quhet ‘Nënë Tereza’
- Tërmet në Bulgarinë fqinje, mbi 30 të plagosur
- Daçiq: 'Nuk po e pengojmë ne formimin e Qeverisë'
Mizoria
Shkruan: Mersel Bilalli
Definitivisht realiteti i katastrofës sociale shqiptare në Maqedoni doli mbi sipërfaqe, bashkë me mjerimin e organizimit politik të tyre. Vite me radhë, njohësit apelonin fokusin në zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare, por hasën në veshë të shurdhër, me arsyetim për prioritete të dofarë të drejtave, të pavetëdijshëm se e drejta më elementare është e drejta në ekzistencë biologjike. Assesi të ndërgjegjësohen për prioritetet natyrore të elektoratit të vet, madje me vetëdije apo pa te, drejtpërdrejtë dëmtonin edhe ato shanse të vogla për zhvillim spontan ekonomik, në rend të parë duke tensionuar qëllimisht gjendjen politike në këto rajone, e cila vetëm se dekurajonte edhe ata pak investitor të brendshëm apo të jashtëm. E gjithë kjo, perfekt i konvenonte pushtetit.
Edhe pas njëzet vitesh gjendja ekonomike e popullatës është edhe më e mjerueshme, por ndërgjegjja e elitës politike shqiptare aspak nuk kafshon, pasi ajo që moti ose është humbur ose është këmbyer për krim-profite. Kapaciteti i moralit në të shumtën e rasteve matet me atë se sa jemi të ndërgjegjshëm që t’ua ndryshojmë gjendjen e të tjerëve, shumica nga të cilët kanë shanse të vogla, pasi tjerët duhet të kenë shanse të mëdha. Numri i tyre seriozisht i afrohet numrit të përgjithshëm të popullatës. Dekada me radhë jemi duke ecur në drejtim të kundërt me kohën dhe logjikën. Jemi zënë në rrjetin e një tranzicioni të çuditshëm ku çdo gjë preferohet përveç asaj që është normale, logjike dhe morale. Jeta e njerëzve të rëndomtë shkatërrohet proporcionalisht degjenerimit të moralit të lidershipit të tyre. Të rëndomtit jetojnë në varfëri pasi ata jo të rëndomtit jetojnë në begati. E si ndryshe, kur fatit njerëzor e përcakton patriotizmi i rrejshëm e demagogjia, në vend të idealit dhe punës. Patriotizmi që permanent konvertohet në para. E njohur është se çfarë fuqie magjike ka paraja. Ajo kohën, hapësirën dhe fjalët i shndërron në vlera jo funksionale, kurse moralin, parimet dhe ligjet i bënë jo ekzitentë. Në fakt, kur flet paraja heshtin gojërat, hesht morali, vdes patriotizmi.
Vite me radhë shoqërinë shqiptare është duke e kapluar varfëria, apatia dhe paperspektiva. Në çdo hap hasim në persona, shikimi i të cilëve është robëruar totalisht në rrjetën e mjerimit dhe skamjes së skajshme. Hasim në njerëz të pafajshëm të cilëve u peshon jeta. Të vetmin faj që kanë është paaftësia për të zgjedhur të përgjegjshmit. Zgjedhin (jo)njerëz që fatin e vet ndërtojnë mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Para zgjedhjeve çdokujt i premtojnë parajsën, kurse u realizojnë ferrin. Rrëfimet e tyre i përngjajnë Kalkutës së viteve gjashtëdhjeta, kur të varfrit shitnin veshkët që të sanojnë mjerimin ndër familjet e tyre. As që parafytyronim se pas disa dekadash ai “fat” do të vjen ndër ne. Presim në radhë për në Irak apo Afganistan, ku vdekja është më afër se sa jeta.
S’mbeti moral as te religjionet, ku sipas çdo logjike duhet të jetë djepi i etikës. Por, është e natyrshme se atje ku sundon jomorali s’ka vend për moralin. Jomorali i pasur vret moralin e varfër. Klerikë fetarë janë të gatshëm që për interesa të tyre të përkrahin çfarëdo “zoti” përveç atij të vërtetit. Lutje hipokrizie para kamerave, duke dashur djallin e zi të na e prezantojnë si engjëll të bardhë. Por, për fat të keq harresën e kemi dobësi. Kjo u jep shpresë udhëheqësve komunalë e qendrorë që të mos brengosen shumë për qethje dhe mjelje. Kemi mbamendje të dobët, e kjo lyp shpinë të fortë.
Paguajmë me kokë, pasi nga ajo e kemi. U besojmë matrapazëve dhe patriotëve të rrejshëm në vend të të ndershmëve dhe profesionalëve. Patriotizëm më i madh është ekonomia dhe punësimi. Kjo lypë qetësi dhe paqe absolute, kurse liderët tanë gjithë kohës bënin të kundërtën (zhurmë plotë, kurse brenda institucioneve pazarllëqe private). Kondova e manipuluar varrosi projektin e naftësjellësit strategjik, kurse tani kemi apati politike, poezi për të vdekurit, varrosje për të gjallët. Kundërvënia e pushtetit është çështje fare e lehtë për ata që kanë moral e ideal. Një protestë masovike në sheshin famëkeq të Shkupit dhe pushteti do të bie në gjunjë. S’ka gjë më efektive dhe më demokratike. Lufta është e panevojshme dhe e dëmshme.
Por, pjesa dërmuese e elitave shqiptare “patriotike” lokale e qendrore, të fundit e kanë interesin e popullit. Zaten ai as që mund të zgjidhet me këso qasje dhe organizimi. Edhe ky shkrim si shumë të tjerët nuk do ta vret veshin e ndonjë lideri. Por, ky u dedikohet të tjerëve.
Popullatës i nevojitet vetorganizim demokratik në formë të këshillave sociale nëpër lagje e fshatra, të cilat nuk do të merreshin me politikë partiake, por vetëm me kushtet e jetesës. Ata duhet të formojnë një bërthamë qendrore, e cila do të vendoste për mjetet e presionit (më së shumti protestat) që duhet ushtruar ndaj partive shqiptare dhe pushtetit. Pra, një formë e sindikalizmit qytetar. Vetëm kështu, shqiptarët do të mund t’i ndihmonin vetes, familjes dhe shoqërisë së tyre.
Përndryshe, njerëzve do tu mbeten vetëm lutjet boshe drejtuar Perëndisë: Zot i Madh, na ruaj nga qeveria e cila ngrit përmendore dhe rrëzon njerëz; na shpëto nga patriot lokalë e qendrorë që në emër të Zotit ndihmojnë demonin; na ruaj nga ata të cilët fjalën e lirë e shndërruan në një minutë heshtje; nga ata të cilët reklamojnë dhe shkatërrojnë arsimin; nga ata të cilët me veprime të ulëta bëjnë rejting të lartë; na shpëto nga liderë ofendues e etiketues, që mbjellin urrejtje; nga poet të strofave të satanës; nga udhëheqës lokal e qendrorë, të cilët po të humbin zgjedhjet humbin edhe mendjen. Por, para se gjithash na shpëto nga vetvetja, pasi të njëjtit udhëheqës i zgjedhim vet.
Por, t’i lejmë lutjet anësh, pasi s’ka shumë shpresë nga ta. Duhet të kuptojmë se ata liderë janë atje pasi ne jemi këtu. Të kuptojmë se jemi të varfër pasi ata duhet të jenë të pasur. Duhet të mësohemi t’i vlerësojmë punët e jo fjalët. T’i çmojmë idealet dhe angazhimet, e jo përrallat e rrejshme. Duhet ta dimë se ata që premtojnë shumë nuk do të na ofrojnë as të pakën. Duhet të dimë se dikë ndërgjegjja aspak nuk e kafshon, pasi atë nuk e ka fare. Dhe së fundi duhet të kuptojmë se ndeshemi me shumë kriza (krizë organizimi, krizë vlerash, krizë sociale) pasi ndeshemi me krizë mentale.
/Autori është analist politik/
(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV ALSAT)





Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb





