-
(211)
Mjerë kultura shqiptare!
-
(60)
Arifi anashkalon gjuhën shqipe, prezanton raportin në maqedonisht
-
(55)
Aksidentohet kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi
-
(40)
'Dogana', diskriminohen administratorët shqiptarë
-
(39)
Grafitet ofenduese 'pushtojnë' Tetovën
-
(39)
Gruevski: 'Incidentet u nxitën nga opozita'
-
(38)
BDI do të kërkojë përgjegjësi politike nga Migena Gorenca
-
(30)
Artistët kërkojnë përgjegjësi nga Migena Gorenca
-
(24)
Në Kuvend, përplasje për 28 Nëntorin
-
(22)
“Presheva për Kosovën, veriu për Serbinë”
Evropa, “tokë e premtuar”
Shkruan: Arta TAHIRI
Vetëm dy muaj Maqedonia ishte shembull për respektimin e heqjes së vizave. Udhëtonin vetëm ata që e kishin xhepin e plotë. Shkonin, shëtisnin, argëtoheshin dhe ktheheshin sërish në vendlindje. Ky film ishte me metrazh të shkurtër; zgjati shumë pak. Përnjëherë sikur u hapën të gjitha dyert dhe jeta këtu, nuk ishte më e mirë. Të gjithë u nisën drejt vendeve evropiane, si mundësi e vetme për një jetë dhe perspektivë më të mirë. Shitën tokat, pasurinë, arin e çka jo tjetër, vetëm e vetëm për të mbërritur atje ku mendonin se po i presin me dyer të hapura dhe atje ku mendonin se për të mbijetuar do të ishte shumë më lehtë se sa këtu. Dikush po ikën nga halli, e dikush nga qejfi. Disa dhomën e tyre të gjumit po e zëvendësojnë me stacionet e autobusëve, stacionet e trenave e të tjerët me xhami e kisha. Kushtet aspak të mira për jetë i detyruan këta qytetarë të krijojnë radhë të gjata para Byrosë për emigrantët në Belgjikë. Gra, burra, fëmijë, pleq e të rinj luteshin të jenë pikërisht ata të cilët do të përfitojnë azilin dhe do të strehoheshin në qendrat e stërmbushura. Por, u dëshpëruan. Azil për ta nuk ka. Ata që morën këtë përgjigje me kokën ulur u kthyen në vendlindje, me një brengë më shumë, se si do t’i kthejnë edhe ato pak para që i kishin e që i shpenzuan në këtë ‘aventurë’. Ankthi për ta tani është edhe më i madh.
Kush e solli popullatën në këtë derexhe? Kush ua mbushi mendjen se Evropa po i pret krahëhapur? Nëse dikush i manipuloi, pse dikush tjetër nuk i parandaloi! Duhej që gazetarët të alarmonin për situatën, se po të mos ishin ata, e gjithë Likova e Kumanova do të zbrazeshin brenda natës dhe madje askush nuk do ta vinte re këtë. Politikanët kanë rënë në gjumin më të thellë. Eksodi i zgjoi ata. Por ama, nuk po ndërgjegjësohen që banorëve të kësaj ane tu krijojnë kushte të përshtatshme jetese, por situatën e krijuar po e shohin si një mundësi për t’u fotografuar, për të akuzuar njëri-tjetrin dhe qëruar hesapet politiko-partiake. Por, harrojnë se është dashur të punojnë gjatë 20 viteve të kaluara. Sikur çdo ditë të vendosej nga një tullë gjatë këtyre viteve, rajoni i Likovës, i goditur rëndë nga kriza e vitit 2001, sot nuk do të ishte në kufirin e braktisjes masive. Hapën qendrën sociale. Mos ndoshta për pritjen e atyre që braktisën vatrat. Ku ishin më herët të hapnin veshët për të dëgjuar hallet e banorëve, disa prej të cilëve janë në pragun e ekzistencës. A e solli politika situatën deri në këtë pikë? Politikanët lavdëroheshin me arritjet për heqjen e vizave, por nga euforia e saj harruan t’i informojnë qytetarët e papunë, të cilët edhe më shumë janë varfëruar nga kriza globale dhe lokale ekonomike, se çfarë në të vërtetë do të thotë liberalizimi i vizave. Nga tentimi për të përfituar politikisht harruan të sqarojnë se lehtësimi i vizave nuk është mundësi për punësim në hapësirën e BE-së. Harruan t’ua bëjnë të qartë atyre se Evropa vërtetë i ka hapur dyert, por jo për të rritur numrin e popullsisë së saj, por për t’iu ofruar qytetarëve të Maqedonisë një mundësi më shumë për të studiuar, argëtuar, udhëtuar dhe vizituar të afërmit. Pse po kthehen tani këta njerëz, të cilët synonin të bëheshin “shtetas” të Evropës. Është e sigurt se jo për faktin se i kanë harruar pizhamet në shtëpi, por se dikush ua bëri Evropën- Likovë, Kumanovë apo Tetovë. Ku janë institucionet t’i gjejnë ata, të cilët këtyre të gjorëve u premtuan parajsën, EL DORADON. Po bëhen apele për mos-shpërngulje, por askush s’po i ndalon ata që duan të ikin. Autobusët e tejmbushur po e kalojnë kufirin sikur të jetë pikë e pagesës së taksës rrugore. Institucionet e Maqedonisë sikur nuk janë të interesuara t’i shohin shtetasit e tyre se po marrin rrugën pa kthim. Ata më shumë janë të fokusuar në realizimin e projekteve milionëshe. Sikur këto miliona t’i ndanin për rajonet që po braktisen, situata mund të ishte ndryshe dhe mund të mos kishe arritur deri në këtë pikë. Evropës ka filluar t’i dhembë koka nga ne. Dhuratën që na i dha mund edhe të na e marrë. Nuk po dimë ta çmojmë atë si duhet; po e keqpërdorim, me ose pa vetëdije. Nuk është për t’u çuditur që një mur i rrëzuar të rindërtohet! Derisa të presim që kjo çudi të realizohet ose jo, na mbetet të ndjejmë pasojat e perceptimit gabim të Evropës.
Autorja është drejtuese e emisionit EUROFOKUS
(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV ALSAT)





Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb






Duke e lexuar me dhimbje të plot po mundohem të faliminderoj tejmase për këto komente... Allahu ju ndihmoft në punë, jetë këtu dhe atje ose kudo që të je...
Ju përshëndeti Skenderi nga Zvicrra/Kumanova
Dërgoni komentin