Fillimi | Lajme | Web kolumna | Partitë dhe ‘fajtori mediatik’

Partitë dhe ‘fajtori mediatik’

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Shkruan: Isuf KADRIU

Në mungesë të  fuqisë për të kundërshtuar projektet me të cilat nuk pajtohen, por që miratohen  në institucionet vendimmarrëse ku edhe vetë bëjnë pjesë, partitë politike shqiptare, vazhdojnë traditën e mbrapshtë të kërkimit të fajtorit, jo vetëm në mesin e kundërshtarit politik shqiptar, por edhe në mesin e mediave që bëjnë publike të gjitha dobësitë, pafuqinë, inferioritetin e tyre dhe të gjitha të këqijat në raport me pozicionin e tyre në pushtet  dhe në opozitë. Partitë shqiptare nuk zgjedhin metoda për të luftuar edhe ”fajtorin” mediatik qoftë përmes kërcënimeve, marrjes së gazetarëve në “biseda informative” në selitë partiake apo dhe duke përdorur forcën mbi ta. Është për të ardhur keq, por partitë tona me veprimet e tyre të përkujtojnë periudhën totalitariste, kur fjala e lirë as që mund të imagjinohej, e lëre më të publikoje ndonjë kritikë ndaj ndonjë prononcimi të liderëve komunist qofshin ata edhe të parët e partisë në një fshat malor. Rasti i fundit me nënkryetarin e PDSH-së, Iljaz Halimi të rikthen kujtesën e shqiptarëve në vitin 2001, kur ish-zyrtari i saj, Bedredin Ibrahimi, pjesëtarët e UÇK-së i quajti “qenë të këqij që të sjellin ujkun në torishtë”. Tani thuajse 10 vite më vonë Iljaz Halimi, kundërshtarët e tij politik i barazon me “kancerin” ndërsa në këtë “kategori” futi edhe Televizionin ALSAT i cili “mëkatin” e vetëm e bëri se veproi me profesionalizëm duke përcjellur të gjitha reagimet që erdhën pas deklaratës së tij po në Televizionin ALSAT, se nuk i intereson sikur në sheshin e Shkupit të ngrihen edhe tri kisha pasi kryeqytet i shqiptarëve sipas tij qenka Tetova. Këtë deklaratë kishin mundësi ta ndjekim qindra mijëra shqiptarë jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Reagimet ishin shumë të ashpra ndaj këtij prononcimi. Kjo shkaktoi nervozizëm në PDSH e cila sikur edhe herave tjera (rasti me Bedredin Ibrahimin) në vend që të distancohet nga një prononcim i tillë katastrofal apo të hesht, reagoi me gjuhën e forcës duke dëshmuar se qasja e saj ndaj mediave është po ajo e para 10 e më shumë vite. Në situatë aspak më të mirë nuk ndodhet as BDI-ja. Kjo parti për dallim nga e para, përdor metoda më të sofistikuara, përmes niveleve shumë të ulëta partiake synon “kontrollin” e mediave dhe paralelisht me këtë, me shkathtësi përdor gabimet e oponentëve politik për të mbuluar gabimet që bën duke vepruar nga pozita e të qenurit në pushtet.

Inferioriteti ndaj ‘Shkupi 2014’

Në mungesë të konceptit apo të fuqisë kundërshtuese për projektin më të përfolur të viteve të fundit “Shkupi 2014”, BDI rikthen fuqinë e saj vepruese kundër oponentit të saj politik, në vend që këtë ta bëjë atje ku vendosen dhe hartohen politikat. BDI-ja nuk duhet të tentoj që përmes kritikave drejtuar oponentit të saj, të largoj vëmendjen nga ky projekt që tashmë ka ngritur tensione të fuqishme ndëretnike dhe që ka ndarë si asnjëherë më parë qytetarët në baza etnike. BDI-ja, nuk duhet të merret as edhe një çast me atë se kur dhe si janë marrë vendimet për këtë projekt. Këtë të gjithë më e dinë, madje këtë publikisht e pranuan edhe kundërshtarët e saj politik. Mirë është të përkujtohet opinioni, por kjo nuk guxon të përdoret si “ushqim” për mbrojtjen e popullaritet të saj që tashmë ka filluar të zbehet. Nënkryetarja e kësaj partie,Teuta Arifi këtë projekt e quajti “kopshti zoologjik prej guri”. Por, pagëzimi që ajo i bëri sheshit të Shkupit nuk korrespondon fare me atë të liderit të saj se “është mirë që po debatohet për ndërtimet në shesh”. Për çfarë debati vallë flet Ahmeti, kur në shesh veç më po ndërtohet!?. Shikuar nga distanca e veprimit të deritashëm politik, partitë shqiptare deri më tani nuk kanë arritur thuajse asnjë projekt ta finalizojnë. Janë bërë sikur atletët e papërgatitur që assesi nuk arrijnë në cak qoftë edhe në pozitën e fundit. Kështu është me gjuhën, flamurin, ndarjen territoriale, arsimin ende të pa konsoliduar, përfaqësimin e drejtë e adekuat e gjithçka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët. Fajtorë për këtë janë pikërisht dy partitë të cilat tashmë kanë dëshmuar se prioritet i tyre mbetet ruajtja dhe ngritja e besueshmërisë partiake.

BDI dhe PDSH në “vdekje klinike”

Injorimi që po ju bëhet nga partnerët tyre lidhur me vendimet që merren në ekzekutiv, i detyron partitë që të mos zgjedhin metoda për të mbijetuar duke ngritur rrejshëm besueshmërinë e tyre. Partitë ndodhen në “vdekje klinike”. BDI-ja nxjerr nga “vdekja klinike” PDSH-në dhe anasjelltas. PDSH-ja në anketat e fundit të opinionit publik shënoi një rritje të konsiderueshme të popullaritetit të saj, jo për shkak të meritave të saj, por për shkak të gabimeve të njëpasnjëshme  të BDI-së që pasonin me reagime të partisë së Thaçit e të cilat kuptohet që transmetoheshin nga Televizioni ALSAT, të cilin Halimi e quajti “kancer”. Deklarata skandaloze e tij lidhur me zhvillimet rreth sheshin e Shkupit dhe sulmet ndaj Televizionit ALSAT për shkak se përcolli reagimet lidhur me këtë deklaratë, këtë parti sërish e futën në ”vdekje klinike” për ta nxjerr nga ana tjetër BDI-në,  po nga “vdekja klinike” që kishte rënë për shkak të gabimeve dhe inferioritetit të saj në Qeveri. Dy partitë, këtë nuk e kuptojnë pasi kanë dëshmuar me kohë se mendjen e kanë të përqëndruar në sulmet apo kundërsulmet e reja ndaj kundërshtarit politik, por pa qenë të vetëdijshme se përdorin “ilaç” pa recetë nga mjeku, që të dyja mund t’i fus në një varr, nëse nuk përmirësojnë qasjen e tyre si ndaj kundërshtarit politik, ashtu edhe ndaj mediave si korrigjues i punës së tyre.

Autori është zëvendëskryeredaktor i TV ALSAT-M

(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV ALSAT)

Subscribe to comments feed Komente (0 dërguar):

gjithsej: | shfaqen:
  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tjera nga Web kolumna
Previous
Next
Kërko arkivin
first first Maj, 2012 first first
Di Ma Enj Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
www.albart.com