Fillimi | Lajme | Web kolumna | Shkupi 2014

Shkupi 2014

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Shkruan: Ardi PULAJ

(Udhëtim në të ardhmen)

Sheshi kryesor i qytetit është “pasuruar” me objekte të reja dhe ka marrë një pamje ndryshe nga ajo e katër viteve më parë. Rreth e përqark ka bustet dhe statujat e figurave të historisë maqedonase. Në mes gjendet statuja e Aleksandrit të Madh mbi një kalë që qëndron mbi një shatërvan dhe i rrethuar nga ushtarë, po ashtu në formën e monumentit. Pranë tij ka një kishë. Përballë kishës në një ditë të bukur vjeshte të vitit 2014 organizatat jo-qeveritare po zhvillojnë një fushatë për sensibilizimin e opinionit për planifikimin familjar dhe përdorimin e prezervativëve. Në të njëjtën ditë në mbrëmje koncerti i ndonjë këngëtari të njohur të ish-Jugosllavisë në shesh, që ka mbledhur një publik të mjaftueshëm, ndërpritet nga këmbanat e kishës që bien 12 herë për të njoftuar ardhjen e mesnatës. Të dielën njerëzit shkojnë në kishë. Përballë kishës dhe besimtarëve të devotshëm, po atë ditë në shesh organizohet Festivali i Birrës, kurse të dielën e ardhshme është planifikuar Festivali i Verës. Vërdallë nëpër shesh ka njerëz që kanë ardhur në qejf nga alkooli dhe si pjesë të fjalorit të përditshëm kanë edhe fjalët “Në të s’ëmës”. Besimtarët që i dëgjojnë, ulin kokën dhe futen në kishë. Të dielën e ardhshme besimtarët shkojnë sërish në Kishë. Për meshën e ditës së fundit të javës. Përkrah qetësisë që të jep çdo objekt fetar, ku shkohet që të qetësosh shpirtin, të lutesh dhe t’i dedikohesh Zotit, dëgjohen tingujt e një kënge agresive hip-hop të Toni Zen, që titullohet “Skandal” dhe që ndër të tjera në tekst thuhet: “S’më plas .... për asgjë, unë bëj skandal”. Nuk është e qëllimshme dhe aspak tendencioze. Është promovimi i makinës së re Audi, që për të mbledhur sa më shumë të rinj në këtë promovim, është zgjedhur hip-hop-isti Toni Zen. Përpara Kishës. Por tingujt dhe teksti depërtojnë në ambientet e brendshme të kishës, në momentin kur thuhet “AMEN”.  Pas këtij promovimi, të dielën e ardhshme, disa njerëz shkojnë në kishë, përsëri, shumë e shumë të tjerë ndodhen përpara kishës, jo për të hyrë në të dhe për t’u lutur, por për të marrë pjesë në mitingun përmbyllës të një partie në fund të fushatës zgjedhore. Përsëri brenda në kishë dëgjohen akuzat e ashpra të liderit për kundërshtarin politik. Përsëri, në kohën kur thuhet “AMEN”.

(E tashmja)

Ju mund të thoni me plotë të drejtë se edhe në vendet e tjera europiane apo edhe në kontinente të tjera, pranë kishave mbahen koncerte, mitingje, festa, promovime, etj., por dallimi i këtyre shembujve me Shkupin është se në këto qytete ose kryeqytete, kishat apo objektet e tjera fetare aty kanë qenë prej shekujsh. Nuk janë ndërtuar në shekullin e 21-të. Përkundrazi, ato janë dëshmi e të kaluarës, që gërshetohen me të tashmen dhe padyshim me të ardhmen. Qyteti im i lindjes, Tirana, është shembulli i një ndryshimi total nga aspekti i arkitekturës. Gjatë rreth pesë dekadave të komunizmit, dominonte stili i përgjithshëm që karakterizonte shtetet socialiste. Kishat dhe xhamitë në të gjithë Shqipërinë, një shtet ateist atëherë, u shkatërruan. U la vetëm xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës. Ajo edhe sot e kësaj dite është aty, si pjesë e sheshit. Me rënien e regjimit komunist, pamja e kryeqytetit ndryshoi. Si për mirë, ashtu edhe për keq. E drejta e besimit fetar u kthye në një të drejtë të çdo njeriu. Në një vend ku jetojnë në harmoni të plotë myslimanët, katolikët dhe orthodoksët, të gjitha komuniteteve fetare u takonte të ngrinin objektet e tyre fetare. Dhe i ndërtuan. Por asnjëherë nuk u diskutua nëse Kisha Katolike, Kisha Orthodokse, ose Xhamitë, duhej të ndërtoheshin pikërisht në sheshin e Tiranës. Ato tani kanë zënë vendin e tyre, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Sheshi “Maqedonia” sot ka një hapësirë të mjaftueshme dhe ka qenë dëshmitar i shumë zhvillimeve. Më i fundit: ka mbajtur mbi vete një pistë patinazhi. Po aty janë zhvilluar mitingje, koncerte, evenimente, festa, promovime, fushata, ekspozita, vallëzimet e maturantëve, protesta, rrahje, përleshje. Pra me një fjalë: gjithçka. Në një farë mënyre, ka qenë një pikë-takimi për të gjithë, si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët, turqit, boshnjakët, për lypsat e shumtë të komunitetit rom. Madje edhe për turistët që nuk e njohin Shkupin, sheshi kryesor ka qenë një pikë referimi. Tani sheshi i Shkupit është rrethuar me llamarina; gati për t’u shndërruar në një kantier ndërtimi. Për më tepër për t’u kthyer në një shesh konfrontimi, mes atyre që duan ta ndryshojnë sheshin dhe atyre që janë kundër kësaj. Sheshi i Shkupit e ka humbur sharmin që ka pasur deri më tani. Kur flitet për të nuk mendohet më për koncerte ose festa, por mendohet për një makth tjetër, a të ndërtohet kisha, apo jo, nëse ndërtohet kisha duhet të jetë edhe xhamia. Nëse ngrihen monumente të figurave të historisë maqedonase, duhet të vendosen edhe ato të historisë shqiptare ose komuniteteve të tjera etnike. Ministrja e Kulturës ka thënë se janë të hapura të gjitha mundësitë për çdokënd që dëshiron të paraqesë iniciativë për t’u përfshirë në “pamjen e Shkupit të ri”. Me fjalë të tjera, mundësia për edhe më shumë objekte është e hapur. Ashtu si edhe mundësia për ta “mbytur” atë shesh. Nga ana tjetër janë ata që thonë se asgjë nuk duhet të ndërtohet. Sheshi që dikur i bashkonte të gjithë, në një formë ose në një tjetër, tani është bërë shesh përplasjesh i TË GJITHËVE. Shkupi, që është një qytet i rindërtuar me beton, pas tërmetit tragjik të shekullit të kaluar, që të marrë pamjen e një metropoli modern, nuk i duhen statuja, përmendore, apo objekte të periudhave që civilizimi i ka kaluar me kohë. Shkupi duhet të shohë drejt modernizmit, me objekte që do të jenë qetësuese për sytë dhe do të zbusin pamjen e zymtë gri të betonit. Prandaj, duhet një plan më i mirë se “Shkupi 2014”, i menduar më gjerë. Unë nuk jam arkitekt që të përcaktoj se cili stil do të ishte më i përshtatshëm. Atyre që merren me këtë punë i dhashë një sugjerim, ashtu siç shumë të tjerë si mua kanë sugjeruar dhe vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë. Deri në një mendim më të thellë të opsioneve arkitekturore që do t’i shkonin për shtat Shkupit, duke e modernizuar dhe lehtësuar pamjen e betonit, le të mos bëhen eksperimente me sheshin. Deri në përfundimin e këtij debati, lejoheni sheshin e Shkupit të jetë një pikë-takimi dhe jo përplasjesh; lejoheni atë të marrë frymë lirisht.

Autori është redaktor në TV ALSAT-M

(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV Alsat)

Subscribe to comments feed Komente (6 dërguar):

armin më 16/02/2010 22:15:39
avatar
sa per kete qe thet ardi eshte shum mir dhe duhet te perkrahim
Thumbs Up Thumbs Down
Riat Ramadani më 12/02/2010 21:38:17
avatar
Ardi. Ke perdorur nje qasje kronoligjike te ngjarjeve, ne menyre te shkelqyeshme, por edhe shembuj te ngjajshme me "Perplasjen e qyteterimeve" , nga autori S.Huntington. Shkupi do jete shembull tipik, ku keto qyteterime do te perplasen, por jo ne menyre spontane! Perplasje e simuluar, me nje qellim, "Diversion i vemendjes se publikut" , nga problemi faktik! Perse dosja "Emeri" u be lajm i rendesise dytesore?
Thumbs Up Thumbs Down
Flora Nikolla më 12/02/2010 21:32:24
avatar
Ardi ... bravo... sidomos me pelqeu gjetja e shkirmit ,pstaj gjuha qe eshet shume e paster... , dhe pas ketyre padyshim trajtiumi i temes eshte sakte
Thumbs Up Thumbs Down
Rijat Abdullai më 12/02/2010 14:15:48
avatar
Eshte shkrimi i pare i cili s'ka te beje me ndonje politike ditore apo cfardoqofte marketingu tjeter politik, por eshte thjesht nje brengosje vetem nga prizma e nje qytetari i cili tenton te marre fryme lirshem ne sheshin e Shkupit.
Falemnderit Ardi qe na mundesove te jemi pjese e udhetimit tend.
Thumbs Up Thumbs Down
bato më 12/02/2010 00:24:25
avatar
shkrim shum i mire
do te ishte nje teater i vertet sheshi Maqedonia ne vitin 2014
edhe nje njeri i thjeshte qe do te kishte nje celular me kamer ne te, do te kishte mundesin qe te xhiroj nje film çdo te diel :D
Thumbs Up Thumbs Down
Tringa më 11/02/2010 23:58:20
avatar
Ju pergezoj per kete kolumne. Eshte analize e qelluar e problemit qe ka te beje me ndertimin e kishes ne sheshin e Shkupit. Vec vazhdoni, ju presim me qendrime te reja
Pershendetje Alsat per punen qe beni
Thumbs Up Thumbs Down
gjithsej: 6 | shfaqen: 1 - 6
  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tjera nga Web kolumna
Previous
Next
Kërko arkivin
first first Maj, 2012 first first
Di Ma Enj Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
www.albart.com