Fillimi | Lajme | Web kolumna | Shumë sfida kërkojnë epilog

Shumë sfida kërkojnë epilog

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Shkruan: Sefer TAHIRI

Në Maqedoni në çdo fillimvit druajmë se mos vallë edhe viti në të cilin kemi shkelur do të jetë i humbur, si dy dekadat e kaluara të tranzicionit të tej zgjatur, i përcjellë me skandale të shumta politike dhe korruptuese.
Vendin edhe këtë vit e presin shumë sfida politike, nga zgjidhja e të cilave varet perspektiva e vendit. Në vitin 2010 zgjidhja e çështjes së emrit, të paktën deklarativisht, do të jetë njëri ndër prioritetet kryesore të agjendës së institucioneve, e në veçanti të kryeministrit Nikolla Gruevski, pasi ai vetë pranoi se ‘përgjegjësia për këtë çështje, i takon atij’. Kryeministri ka përgjegjësi të madhe politike sipas Kushtetutës dhe ligjeve, por nuk është përgjegjësi i vetëm për punët e shtetit. Me të drejtë shtrohet pyetja se lidhur me emrin çfarë roli atëherë kanë anëtarët tjerë të Qeverisë, partneri shqiptar në koalicion, ndërmjetësi Jolevski, Parlamenti, presidenti i shtetit, kur kreu i Qeverisë e merr përmbi vete përgjegjësinë shtetërore për këtë problem madhor të vendit. Nuk dua të merrem me prirjet totalitare të kryeministrit, megjithatë dihet fare mirë se prirjet e këtilla politike që pushteti të jetë kryesisht në duart e kryeministrave në të kaluarën kanë dëmtuar shumë vendin.
Gjykuar sipas deklaratave dhe hapave të deritanishëm të kreut të ekzekutivit, por edhe të presidentit Ivanov, edhe në 6 muajt e parë të vitit, gjatë presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, nuk duhet të shpresohet shumë se çështja e emrit do të zgjidhet. Në vend të zgjidhjes, do të kemi deklarata e konferenca të shumta për media të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, analiza dhe opinione të shumta të ekspertëve dhe intelektualëve “patriotë” e “tradhtarë”, etiketime të shumta, rekomandime të qarta të ndërkombëtarëve, se pala maqedonase duhet të jetë më aktive në procesin e gjetjes së zgjidhjes së çështjes së emrit duke ofruar zgjidhje konkrete. Do të dëgjohen edhe skenarë për destabilizimin e vendit dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike! Megjithatë struktura politike që drejton vendin përfundimisht duhet të përballet me faktin se pozicioni i Greqisë është më i favorshëm, pasi fqiu ynë jugor është anëtar i strukturave euroatlantike. Natyrisht se për epilog nevojitet konsensus i qartë politik midis pushtetit dhe opozitës, nevojitet gatishmëri dhe guxim politik që kjo çështje të shkojë në histori.
19 vite me radhë Maqedonia sillet në një rreth vicioz, pasi garniturat politike nuk kishin guximin të marrin përgjegjësitë përmbi vete. Qeveria dhe kreu i saj dëshirojnë që të kenë pushtet absolut, por nuk duan të marrin aspak përgjegjësi për çështjen e emrit. Nuk ishte e kotë deklarata e kreut të Qeverisë, se ai është i gatshëm që të shkojë edhe në opozitë, nëse është e nevojshme, por kurrë nuk do të pranojë një zgjidhje që do të jetë në dëm të interesave kombëtare të popullit maqedonas! Është e dukshme se kjo deklaratë u bë për nevoja të brendshme politike, pasi Gruevski as në ëndërr nuk e sheh kalimin në opozitë.
Mentorët e tij politikë e dinë mirë se ky pozicionim i siguron mbështetje të fuqishme elektorale dhe e bën atë “hero” të kohës moderne tek qytetarët maqedonas. Njësoj si edhe ideja e mbajtjes së referendumit!
Maqedonia njëherë sakrifikoi NATO-n, BE-në po ashtu. Andaj nuk ka arsye racionale që të mos besohet se ngjashëm kjo Qeveri do të veprojë edhe në të ardhmen. Deri kur?
‘Status quoja’ në segmentin e integrimit euroatlantik, do të thotë se në vend do të vazhdojmë të përballemi me krizë edhe më të thellë ekonomike pasi me mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian vendi nuk është vetëm në izolim politik, por edhe në izolim ekonomik. Kriza do të thellohet, ndërsa investimet e huaja do të vazhdojnë të jenë vetëm ideal i dëshiruar i pushtetit për rimëkëmbje ekonomike. Lexova një deklaratë të drejtorit të Agjencisë për Investime të Huaja, Viktor Mizo. I shkreti duke dashur që të fsheh dështimet në planin e thithjes së investimeve të huaja, u shpreh se edhe gjatë vitit 2009, Maqedonia është parë nga kompanitë e mëdha botërore si destinacion për investime. Pra Maqedonia vetëm se vazhdon të perceptohet si vend me klimë të volitshme për investime të huaja, pasi asgjë konkrete në këtë drejtim nuk ndodh. Reklamat e shumta në mediat ndërkombëtare (që kanë kushtuar shuma marramendëse) dhe vizitat e shumta në shtetet e huaja të kryeministrit dhe të ministrave të Qeverisë Gruevski si: Tashkoviq, Samak e Stavreski mbetën pa efekt. Askush nuk dëshiron të investojë kapital në një vend që nuk është pjesë e organizatave globale të sigurisë, në një vend ku nuk ka stabilitet politik, ku gjyqësori vazhdon te jetë nën presionin e politikës dhe në të cilin lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të mbetet prioritet politik. E njëjta situatë ishte edhe në vitin 2008, kur Maqedonia nuk mori ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit.
Një është e sigurt, qytetarët nuk jetojnë më mirë. Si pasojë e krizës globale ekonomike, e reflektuar në ekonominë e vendit, kemi standard të ulët të jetesës, fuqi të ulët blerëse, rritje të çmimeve dhe parametra të tjerë shumë të dobët ekonomik. Pakënaqësia sociale sa vjen e shtohet. Grupe të ndryshme sociale e manifestojnë këtë disponim në mënyra të ndryshme.
Nëse Maqedonia nuk bëhet anëtar i BE-së, zhvillimi ekonomik nuk do të shënojë rritje, e as zhvillimi demokratik e shoqëror. Sa për krahasim, sot për Maqedoninë, edhe pse dikur vend-lider sa i përket zbatimit të reformave, Kroacia dhe Sllovenia tani më janë vende evropiane e jo ballkanike siç e kemi zakon t’i quajmë. Maqedonia është më se e qartë se bën pjesë në një grup me Serbinë, Bosnjë- Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat kanë pasur kriza të shumta gjatë historisë dy dekadëshe pas pluralizmit në Ballkan.
Por çfarë do të ndodh me çështjet e brendshme politike? Edhe këtë vit, ngjashëm si në vitin 2009, Qeveria nëse në veprimet e saj do të jetë në shpërputhje me pjesën ekonomike të programit “Rilindja në 100 hapa”, konsekuente do t’i mbetet moszgjidhjes së çështjeve të hapura të shqiptarëve. E ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re do të bëjnë opozitën, përmes konferencave të rastësishme të shtypit.
Sfidë tjetër politike e rëndësisë parësore për vitin 2010 do të jenë zgjedhjet. Kuptohet të parakohshmet parlamentare. Çdoherë Maqedonia kur gjendet para ndonjë sfide, siç është çështja e emrit, e para gjë që u shkon në mendje politikanëve, por edhe gazetarëve, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Shikuar nga këndvështrimi i forcave politike, në dukje të parë mund të thuhet se opozita maqedonase nuk është e gatshme të përballet me pushtetin, ndërsa partitë qeveritare nuk janë të gatshme ta testojnë vetveten. Edhe pse shpesh mund të dëgjojmë se ky vit do të jetë zgjedhor, zgjedhjet nuk janë zgjidhje për çështjen e emrit.
Përgjithësisht nëse themi se edhe ky vit do të jetë i humbur sa i përket ecjes së vendit në trajektoren e projektuar të integrimit, nuk është një nihilizëm defetist, por vetëm një pesimizëm i bazuar në fakte.

Autori është redaktor në televizionin ALSAT-M dhe analist politik

(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV Alsat)

 

Subscribe to comments feed Komente (1 dërguar):

lulzim z.hamidi më 07/01/2010 15:31:06
avatar
Nje kendveshtrim shume racional i z.Seferit! Si mungese e ka vetem perzierjen e establishmentit nderkombetar ne zgjidhjen e problemit me emrin, qe ne nje menyre do te nderronte dhe rrezonte te gjitha analizat per ardhmerine afatshkurte te ketij shteti!
Thumbs Up Thumbs Down
gjithsej: 1 | shfaqen: 1 - 1
  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tjera nga Web kolumna
Previous
Next
Kërko arkivin
first first Maj, 2012 first first
Di Ma Enj Pr Sht
1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31
www.albart.com