-
(211)
Mjerë kultura shqiptare!
-
(60)
Arifi anashkalon gjuhën shqipe, prezanton raportin në maqedonisht
-
(55)
Aksidentohet kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi
-
(39)
'Dogana', diskriminohen administratorët shqiptarë
-
(39)
Grafitet ofenduese 'pushtojnë' Tetovën
-
(39)
Gruevski: 'Incidentet u nxitën nga opozita'
-
(38)
BDI do të kërkojë përgjegjësi politike nga Migena Gorenca
-
(30)
Artistët kërkojnë përgjegjësi nga Migena Gorenca
-
(24)
Në Kuvend, përplasje për 28 Nëntorin
-
(22)
“Presheva për Kosovën, veriu për Serbinë”
Idealet e ‘vojvodëve’ dhe ‘çlirimtarëve’!
Shkruan: Sefer TAHIRI
Në këto ditë të ftohta dimri një koleg më tha se nëse deri në pranverë Maqedonia nuk e zgjidh çështjen e emrit, Bashkimi Demokratik për Integrim s’ka çka kërkon në ndërtesën “Ilindenska”. Me fjalë tjera duhet ta braktis Qeverinë e Nikolla Gruevskit. Jam shumë dakord me këtë pikëpamje, sepse është objektive, sepse tanimë më të drejtë shtrohet pyetja çka bëjnë shqiptarët për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe çfarë ndërmerr partia shqiptare në pushtet për tejkalimin e kontestit “iracional” me Greqinë, të cilit, i janë dhënë dimensione mitologjike, historiciste dhe identitare. Problem ky që pengoi anëtarësimin e vendit në NATO në vitin 2008 dhe në vitin 2009 për marrjen e datës për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Problem që e izolon vendin!
Aq më tepër kjo pyetje bëhet edhe më e kohës kur vetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në Kongresin e dytë në mënyrë simbolike tha: “Integrimin ne e kemi të shkruar në ballë”. Po ama VMRO-DPMNE-ja nuk e ka të shkruar integrimin në ballë! Këtë e dëshmon edhe rreth çështjes së emrit. Sikur nuk u shpejtohet, sikur nuk kanë afate.
Njësoj si në çdo marrëdhënie tjetër shoqërore, BDI-ja në Qeveri edhe pse në partneritet me VMRO-DPMNE-në duhet të jetë vetvetja. Asgjë më shumë! Ndryshe kredibiliteti i saj do të harxhohet si fluskë sapuni! Në mesin e BDI-së ka shumë ish eksponentë të PPD-së dhe ata e dinë më së miri se si “shkrihet” një parti e madhe politike si pasojë e veprimit në kundërshtim me interesat e elektoratit.
Pikërisht për këtë BDI-ja e ka për detyrë programore që të bëjë presion dhe ndikim ndaj Gruevskit që të arrihet zgjidhje për emrin. I vetëdijshëm se vendimet në shtet i merr personalisht Gruevski, nëse nuk arrihet që të hapet rruga integruese, atëherë BDI-ja shkel programin e saj, do të zhgënjejë elektoratin dhe simpatizuesit e saj dhe mbi të gjitha do të jetë bashkëfajtore historike për mospërfshirjen e vendit në strukturat euroatlantike, sepse vetë kjo parti në Kongres proklamoi se çështja e emrit është komplekse, por e zgjidhshme. Ndryshe si do të “jetësohen idealet”, që ishte motoja e Kongresit, në të cilin delegatët i duartrokisnin fuqishëm Ahmetit kur fliste për realizimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve. Por a ka mundësi që të jetësohen idealet e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së në të njëjtën kohë? Praktika thotë se kur bëhet fjalë për idealet e shqiptarëve, VMRO-DPMNE-ja si një parti e spektrit të djathtë maqedonas, së fundi edhe nacional-romantike, ka shumë dilema, rezerva dhe bën përpjekje që për idealet e shqiptarëve të flitet në kongreset e partive shqiptare, në tribuna me qytetarë, në debate televizive apo në muhabete të çajtoreve ku përfaqësuesit lokal partiak rrahin gjoksin pro partisë qeveritare të shqiptarëve, por jo edhe të jenë pjesë e agjendës politike dhe institucionale-shtetërore, që do të garantojë edhe krijimin e mirëbesimit dhe marrëdhënieve të mira ndëretnike. Ideal i këtij vendi nuk duhet të jetë vetëm integrimi euroatlantik, por edhe krijimi i barazisë reale juridike dhe faktike midis maqedonasve dhe shqiptarëve, që është garanci për të pasur integrim të brendshëm.
Në të vërtetë nuk është shumë vështirë të konstatohet se VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk janë partnerë të natyrshëm e aq më pak strategjikë për kah linjat politike. Por ama janë subjekte legjitime politike që formojnë Qeverinë. Apo “martesë interesi” siç do ta quante dikush. Megjithatë edhe në “martesat e interesit”, palët bëjnë kompromise.
Por a bën VMRO-DPMNE-ja kompromise me “idealet’ e BDI-së. Ashiqare, jo!
Mjafton vetëm të shihen reklamat qeveritare dhe në to figuron vetëm emblema e VMRO-DPMNE-së. Po emblema e BDI-së ku mbetet, po projektet, idealet e saj?
E fundit ishte fletushka për vizat, ku emblema e BDI-së edhe njëherë ishte e padëshirueshme. Mashallah partneritet, mashallah! Ama koalicion “parimor” e të “sinqertë” bëjnë “vojvodët” dhe “çlirimtarët”. Aq parimor sa që edhe zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku, në cilësinë e përfaqësuesit të BDI-së kritikoi këtë sjellje ekskluziviste të partisë së Nikolla Gruevskit. Voluntarizëm i vmroistëve, do të kishim thënë për qëllime votëbesimi. Gruevski prioritet të veprimit të tij politik e ka të jetë i pari në anketa! Po punë e madhe se vendi nuk integrohet në BE e NATO, punë e madhe se nuk ka zhvillim ekonomik dhe investimet e jashtme janë margjinale, punë e madhe se qytetarët presin për një dokument personal një vit të plotë, ose më tepër. Për VMRO-DPMNE-në punë shumë më e madhe është të shkelen vullneti dhe idealet e BDI-së! Në fakt duhet të jetë e kundërta! Nuk duhet harruar se kjo Qeveri përmes veprimeve konkrete duhet të reflektojë realitetin shumë-etnik dhe shumë-fetar si dhe vullnetin politik të qytetarëve! Kuptohet nëse Qeveria dëshiron që sistemi politik të funksionojë si demokraci, e jo si mahi me ndonjë subjekt politik që përfaqëson shumicën e etnitetit shqiptar!
Për të nxjerrë në shesh dominimin absolutist të VMRO-DPMNE-së në qeveri, mjafton t’i shoshisim idealet tjera programore të “integristëve”.
Gjuha! Ahmeti e tha me gojën e vet, se Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe nuk zbatohet si duhet! Ahmeti kishte të drejtë në Kongres kur kritikoi voluntarizmin e disa bartësve të funksioneve shtetërore për moszbatimin e tij. Por ai duhej të thotë qartë se këta zyrtarë kanë emër dhe mbiemër: kryeministri Nikolla Gruevski dhe kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski. A ka ironi më të madhe që institucioni që i miraton ligjet, vetë nuk i zbaton ato? A kështu bëhet shteti juridik?
Telegrafikisht vetëm edhe disa fakte që flasin për parimin biologjik në Qeveri “i madhi e ha të voglin”. VMRO-DPMNE-ja anashkalonte njohjen e Kosovës, përfundimin e demarkacionit dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e ri dhe të gjitha këto procese u përmbyllën me këmbënguljen e faktorit ndërkombëtar. Jo se Gruevski e merrte parasysh presionin e Ahmetit. Njësoj si nuk e mori seriozisht as kërkesën e Menduh Thaçit, i cili lavdërohej se “Kosova do të njihet kur të thotë PDSH-ja”!
Gruevski nuk dëshiron të dëgjojë për zgjidhjen e statusit e pjesëtarëve të ish-UÇK-së. E atëherë si do të jetësohen idealet!
Kohëve të fundit publikun e zbaviti një spektakël politik midis zonjave të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Kosana Nikoliq- Mazneva në mënyrë figurative me konotacion ofendues, deputetet e respektuara të BDI-së, Teuta Arifi dhe Ermira Mehmeti, i quajti “nuse të BDI-së”. Dhe me pas partia e saj doli me vlerësimin se “qëndrimi i saj ishte personal, nuk kemi se pse të distancohemi”. Sa ironike tingëllon! Aq më tepër kur kemi parasysh se Mazneva në VMRO-DPMNE nuk është kushdo qoftë apo ndonjë anonime, por kryetare e Forumit të grave të partisë së “vojvodëve”!
Tradita e Ballkanit dëshmon se familjet, në të cilat gratë nuk shkojnë mirë mes vete, nuk i kanë punët në terezi dhe në të shumtën e rasteve përfundojnë me ndarje! Jeta ndarje ka. Rrjedhimisht edhe qeveritë!
Autori është redaktor në televizionin ALSAT M dhe analist politik
(Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë personale dhe nuk reflektojnë politikën redaktuese të TV Alsat)





Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb






Dërgoni komentin