Seanca e Kuvendit e nisur me përplasje në orën 1 të mëngjesit përfundoi si e tillë pas orës 3 të mëngjesit. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi vazhdoi praktikën e vendosjes së letrave, me të cilët i përkujtonte deputetët që t’iu përmbaheshin rregullave të punës. “Qetësi ju lutem!”, “Ndalohet fjetja e deputetëve!”, “Mos e zgjoni luanin e fjetur!” ishin mbishkrimet e përzgjedhura nga Xhaferi këtë herë.

Derisa deputetët e VMRO DPMNE-së të organizuar në 10 grupe parlamentare mundoheshin që me pauza dhe replika të pafund ta bllokonin punën, pas çdo pauze Xhaferi caktonte vazhdim të seancës. Deputeti Ilija Dimovski e akuzoi Xhaferin se vepronte me inat dhe jo korrektësi.

Nëse vazhdojnë punët kështu me inat, do të ketë probleme dhe me siguri gjithmonë do të shohim seanca që zgjatin 24 orë. Nëse ky është qëndrim i shumicës, në rregull. Nuk ka asnjë problem. Ne jemi të përgatitur– tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Koleg Dimovski, disa herë kërkoni komunikim dhe marrëdhënie korrekte. Unë nuk di çfarë korrektësie është që vetë-vetes t’i replikoni 30 njerëz në secilin fjalim dhe i replikoni njëri-tjetrit. Kurse nga ana tjetër kërkoni korrektësi- u përgjigj kryetar i Kuvendit Talat Xhaferi.

Deputetët e opozitës vazhduan të kundërshtojnë mbajtjen e seancës pas mesnate dhe përveç përplasjeve të shumta me kryeparlamentarin Xhaferi, filluan të analizojnë edhe fenomenin e rënies së flokëve. Në një moment deputetja e VMRO-së Vlladanka Aviroviq shprehu keqardhje që ministrit të Financave Dragan Tevdovski i kishin rënë flokët nga partia e saj.

Debati i ngjashëm vazhdoi deri në orën 3 e 30 pas mesnate. Seanca u mbyll në atë kohë ndërsa më pas u mbajt koordinimi i grupeve parlamentare, i cili zgjati deri pothuajse në orën 4 të mëngjesit.

Anesa Aliti

Shpërndaj me