Deputetët e LSDM-së edhe në vazhdimin e pesëmbëdhjetë të seancës konstituive, refuzuan të kyçen në debat edhe përskaj apeleve të vazhdueshme nga kolegët e tyre të VMRO-DPMNE-së. Deputetët e partisë së Nikolla Gruevskit vazhdojnë të kërkojnë sqarime për deklaratën e partive shqiptare e cila sipas tyre rrezikon interesat e shtetit. Ata refuzuan të pranojnë sqarimet e deputetëve nga radhët e partive shqiptare, të cilët vlerësojnë se kjo deklaratë është pjesë e platformave të tyre.

 Në vend që të dalin dhe publikisht të distancohen nga kjo ata heshtin dhe nuk flasin asgjë për këtë. Ata vazhdimisht heshtin por kanë takime konstante me ambasadorë të ndryshëm nga vende të tjera ku bisedojnë për shumë çështje. Në vend që të bisedojnë me ata ambasadorë, duhet të bisedojnë këtu në këtë foltore për këto problem sepse janë zgjedhur nga ky popull dhe jo nga ambasadorët – deklaroi Krste Jovanovski, VMRO-DPMNE.

 25 vjet rresht keni protestoni kundër arsimit të mesëm shqip, kundër fakultetit pedagogjik, kundër universitetit të Tetovës, kundër marrëveshjes së Ohrit dhe ja tani kundër deklaratës së përbashkët. Shumë gjëra nga këto janë realizuar por nuk shoh se cili interes strategjik I maqedonasve është rrezikuar – deklaroi Surija Rushiti, Aleanca për Shqiptarët.

Nëse do të kishit dashur të jeni kontruktiv në të gjithë këtë situatë, me gjasë në platformën e Tiranës do të duhet të kishit përfshirë edhe një paragraf ku do të ishit interesuar për maqedonasit që jetojnë jashtë kufijve të Maqedonisë, konkretisht në Shqipëri, atje ku u nënshkruat pa u shqetësuar aspak për ndjenjat e maqedonasve që jetojnë këtu – dekarloi Luljana Zafiroska, VMRO-DPMNE.

Liderët e partive politike shqiptare janë takuar edhe më herët me zyrtarët e shtetit shqiptar, do të takohen edhe tani por edhe në të ardhmen dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Ajo që është e rëndësishme edhe për këtë Kuvend dhe institucionet shtetërore është se partitë shqiptare veprojnë edhe politikisht edhe juridikisht, brenda këtij Kuvendi dhe legjislacioni –deklaroi Fadil Zendeli, BESA.

Gjatë ditës, prezenca e deputetëve të LSDM-së në sallë ishte e vogël kurse shumica e re parlamentare nuk ndërmori hapin e paralajmëruar për zhbllokimin e seancës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.

Fatlume Dervishi

Shpërndaj me