Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë pritet të rinisin takimet në Bruksel të martën e ardhshme, më 16 janar.

Lajmin e ka bërë të ditur Avni Arifi, i emëruar dje shef i negociatave me Serbinë nga qeveria e Kosovës, në një prononcim për Klan Kosovën.

“Që më 16 janar pritet të ketë takim në Bruksel dhe ne kemi filluar përgatitjet”, theksoi Arifi duke shtuar se takimet do të jenë treditore.

Ai tha se në ditët në vijim do të kemi më shumë informacione sa i përket këtij takimi.

Arifi shprehet se bisedimet do t’i udhëheqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa qeveria do ketë më shumë rol të implementimit të marrëveshjeve të arritura.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë. Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shpërndaj me