Propozim vendimi për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të parashtruar nga deputetët Afrim Gashi, Tomisllav Tuntev dhe Ejup Alimi, sot do të jetë në rend dite të seancës së 15-të kuvendore. Në rend dite të kësaj seance është edhe Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë.

Ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor janë sjellë të hënën dhe me to parashikohet deri në zgjedhjet lokale të caktuara për më 15 tetor të miratohet përbërja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) me përbërjen e Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit për deputetë. Duke i pas parasysh rezultatet nga zgjedhjet e fundit parlamentare anëtar të ri të KSHZ-së duhet të ketë Lëvizja BESA, e cila fitoi pesë mandate të deputetëve, ndërsa duhet të shkarkohet Bedredin Ibrahimi i cili u propozua nga PDSH-ja.

Kuvendi e shpalli zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë” dhe në shtypin ditor. Konkursi zgjat pesë ditë nga dita e shpalljes në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

Kryetari i Kuvendit e njofton partinë politike në opozitë, në afat prej 24 orëve nga pranimi i njoftimit për kandidatët e paraqitur në konkurs, t’i dorëzojnë propozim për anëtar të KSHZ-së. Propozimin e dorëzuar, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve e konfirmon dhe menjëherë e dorëzon deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Anëtarët e KSHZ-së, Kuvendi i zgjedh me dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor për ndryshim të përbërjes së KSHZ-së u propozuan sipas marrëveshjes së arritur politike midis partive parlamentare.

Në këtë seancë duhet të shqyrtohet edhe Propozim ligji për lëshimin e bono-vauçerëve me vlerë, në lexim të parë të parashtruar nga deputetët e opozitës.

Deputetët do të debatojnë edhe për interpelancën për punën e ministrave të Financave, të Kulturës dhe të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Dragan Tevdovski, Robert Alagjozovski dhe Sadulla Duraku, të parashtruara nga opozita.

Shpërndaj me