Maqedonia nënshkroi Marrëveshje për mbrojtjen e vizitorëve edhe me Shqipërinë, e cila shoferëve, si edhe me vendet e tjera të rajonit, u mundëson kompensim më efikas dhe më të shpejtë të dëmit në rast të aksidenteve të mundshme të trafikut.

Marrëveshja është nënshkruar mes byrove kombëtare për sigurim të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë nga ana e drejtorit të Byrosë së Maqedonisë Trajçe Latinovski dhe u.d. të Byrosë së Shqipërisë Kevin Leshi.

Kjo marrëveshje tashmë u bashkëngjitet marrëveshjeve të nënshkruara me byrotë kombëtare të Greqisë, Turqisë, Zvicrës, BeH-së, Malit të Zi, Luksemburgut, Serbisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Sllovenisë.

Marrëveshja parashikon që personi i dëmtuar, i cili ka pësuar dëm në territorin e shtetit tjetër pas kthimit në shtetin amë të drejtohet tek Byroja Kombëtare e Sigurimeve të shtetit të vet e cila në bashkëpunim me Byronë e shtetit në të cilin ka ndodhur aksidenti do të mundësojë grumbullimin më të shpejtë të dokumenteve dhe informacioneve të nevojshme për realizimin e të drejtave për kompensim të dëmit.

Nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve të Maqedonisë konsiderojnë se Marrëveshja e nënshkruar paraqet lehtësim të madh për shoferët e të dy vendeve, sepse nuk do të mund prishin apo shtyjnë planet afariste apo turistike që ta paguajnë dëmin e shkaktuar në rast të aksidenteve të trafikut. Në të ardhmen të drejtën për kompensim mund ta realizojnë edhe pas kthimit në shtetin amë me ndihmën e byrove kombëtare.

Marrëveshja për mbrojtjen e vizitorëve, siç sqarojnë nga Byroja Kombëtare e Maqedonisë, është hartuar për t’u ofruar shteteve jashtë BE-së mundësi të sigurojnë mbrojtje shtesë dhe ndihmë qytetarëve të cilët me automjete udhëtojnë në territore të shteteve të tjera. Marrëveshja mbështetet në dispozitat më të mira të Direktivës së katërt dhe të pestë për automjete të cilat në masë të madhe njihen për faktin se janë të përkushtuara ndaj mbrojtjes së personave të tretë të dëmtuar. Konsiderohet se ky mekanizëm është modeli më i afërt që ekziston për shtetet e BE-së dhe se nënshkrimi i këtij dokumenti është mënyrë e mirë që vendet të cilat janë jashtë BE-së të përgatiten për pranim në Bashkimin Evropian, në pjesën e trafikut ndërkufitar të automjeteve.

Shpërndaj me