Në tenderët shtetëror me vite të tëra marrin pjesë dhe i fitojnë ndërmarrjet e njëjta. Vetëm 4.800 prej rreth 70.000 ndërmarrje aktive në shtet janë të përfshira në biznesin me furnizime publike që brenda vitit vlen rreth një miliard euro. Çdo e katërta thirrje publike e publikuar nga institucionet shtetërore ka vetëm nga një ofrues. Për shkak të kësaj, është i domosdoshëm një kontroll më i madh i tërë procesit të furnizimeve publike, që do të duhej t’i besohet Byrosë për Furnizime Publike, shprehen nga Qendra për Komunikime Civile, prej ku më shumë se një vit e monitorojnë këtë proces.

 Momentalisht organet kontraktuese shpesh e shkelin Ligjin për furnizime publike. Jemi dëshmitarë për akuzat në rritje për korrupsion në furnizimet publike dhe e gjithë kjo kalon pa kurrfarë sanksionesh. Si rezultat, konsiderojmë se kompetenca të këtilla të zgjeruara të Byrosë për Furnizime Publike do të mundësonin parandalim të keqpërdorimit të parave publike, por gjithsesi do të rezultonte edhe me sanksionimin e rasteve kur do të konstatohen keqpërdorime – deklaroi Sabina Fakiq nga Qendra për komunikime civile.

Ekspertët rekomandojnë pezullimin e vendimit ligjor, sipas të cilit kriteri i vetëm për ndarjen e tenderëve është çmimi më i ulët dhe shprehen se në pjesën më të madhe të furnizimeve publike duhet doemos të merret parasysh edhe cilësia e mallit ose shërbimit që e blen shteti. Gjithashtu, konsiderojnë se përveç dispozitave penale, duhet të vendosen edhe ato kundërvajtëse për organet shtetërore që e kanë shkelur Ligjin, edhe atë me gjoba prej 500 deri 20.000 euro.

Mirko Trajankovski

Shpërndaj me