Ekonomia e Kinës u rrit me 6,9 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit, e nxitur nga shpenzimet e konsumit dhe tregtisë, njoftoi sot  zyra kombëtare e statistikave të vendit.

Ekonomia u rrit me 6, 9 për qind gjatë tremujorit të dytë, me të njëjtin ritëm si në tremujorin e parë.

Analistët kishin parashikuar një ulje të lehtë në tremujorin e dytë, një rritje prej 6,8 për qind.

Qeveria kineze ka vendosur një target të rritjes ekonomike prej  6,5 për qind këtë vit “ose më të lartë nëse do të jetë e mundur”, targeti më i ulët i rritjes ekonomike në 25 vjet.

“Rritja ekonomike është nxitur nga investimet e qeverisë në infrastrukturë dhe projektet për zbutjen e varfërisë, si dhe nga sipërmarrja dhe industria e shërbimit”, tha Hu Xingdou, një profesor i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë, në Pekin.

Vëzhguesit presin një rënie të lehtë në rritjen ekonomike të Kinës në gjysmën e dytë të vitit, por qeveria po bën përpjekje për të planifikuar stabilitetin përpara një kongresi të rëndësishëm të Partisë Komuniste brenda pak muajsh.

“Shitjet me pakicë të Kinës u rritën me 10,4 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit, duke rritur ritmin kundrejt rritjes prej 10 për qind në tremujorit të pare”, njoftoi zyra e statistikave.

Prodhimi i fabrikës u rrit me 6,9 për qind nga viti në vit gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, duke shfaqur një rritje të lehtë prej 0,1 pikë për qind gjatë tre muajve të parë të vitit.

Investimet u rritën me 8,6 për qind nga viti në vit gjatë gjashtë muajve të parë, duke shënuar një rënie prej 0,6 pikë për qind nga tremujori i pare i vitit.

Shpërndaj me