Kampionët e Italisë barazuan 2-2 me Totenhamin në “Juventus Stadium”, edhe pse ishin në kryesim 2-0 dhe pjesa e parë e takimit përfundoi me rezultatin 2-1. Kampionët e Italisë e panë veten shumë shpejt në avantazh, pasi Higuain shënoi që në minutën e 2-të. Ishte sërish sulmuesi argjentinas që dyfishoi në minutën e 8-të nga pika e bardhë e 11-metërshit. Por, Totenham nuk u dorëzua dhe shkurtoi diferencën me sulmuesin Hari Kejn në minutën e 35-të. Ndërkohë që Higuain humbi një 11-metërsh në minutën e 45+2’, duke humbur shansin që të mbyllte sfidën. Totenham barazoi 2-2 ndaj Juventus në minutën e 72-të. Eriksen goditi në mënyrë mjeshtërore një gjuajtje të lirë, duke mposhtur portierin Bufon. Tashmë kualifikimi do të vendoset në Angli, edhe pse Tottenham është i favorizuar për shkak të dy golave në fushë kundërshtare. Ndërkohë në përballen tjetër , të zhvilluar në Bazel të Zvicrës, Mançester Siti demoloi skuadrën zvicerane me 4-0. Në minutën e 14 ka ardhur edhe goli i parë i anglezëve, pasi goditja me kokë e Gundogan, është ndalur në rrjetën e miqve. Për 5 minuta miqtë kanë shënuar edhe 2 gola të tjerë, me Silvën dhe Agueron, për të mbyllur historinë e takimit që në pjesën e parë. Për t’i dhënë fund statistikave të kësaj ndeshje ka menduar sërish Gundogan në pjesën e dytë, nëpërmjet një perle nga distanca. Mançester Siti ka siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë, ndërsa Taulant Xhaka nuk do të jetë në ndeshjen e kthimit për shkak të penalizimit nga kartonët e verdhë.

Shpërndaj me