Prokurorët themelor publik do të duhet të raportojnë për mënyrën si është kryer hetimi për natën e përgjakshme të 27 prillit në Kuvend. Njoftime të tilla ka dërguar kandidati i vetëm për postin e Prokurorisë së Përgjithshme, Ljubomir Joveski. Ai në linjë telefonike për Alsat M konfirmoi se do të kërkojë nga prokurorët që t’i raportojnë për punën e bërë deri më tani, por nuk tha nëse do kërkojë përgjegjësi nga kolegët e tij, nëse konstatohet se ndoshta qëllimisht ose paqëllim janë bërë lëshime në hetim. Një kundër kandidat i tij për postin e kreut të Prokurorisë themelore, avokati Zvonko Davidoviq thotë se Joveski menjëherë pas zgjedhjes duhet të përvjelë mëngët.

Ka mundësi të kërkojë përgjegjësi nga prokurorë specifik për shkak të punës joprofesionale dhe mosrespektimit të afateve dhe reputacionin e prokurorisë, ashtu që i ka duart e zgjidhura. Për moskryerjen e punës nga një Prokuror mund të sugjerojë që i njëjti të shkarkohet ose të gjobitet, apo të caktojë masa – deklaroi Zvonko Davidoviq, avokat.

Megjithatë, çfarë do informacione që të merren, nuk do mund të rishqyrtohen veprimet e prokurorisë, me të cilat tashmë gjykata dënoi një pjesë të demonstruesve të dhunshëm për hyrjen në Kuvend.

Deri më tani janë dënuar vetëm pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në ngjarje. Vazhdon hetimi për deputetët e VMRO DPMNE-së të cilët hapën dyert, Sasho Vasilevski dhe Kërsto Mukoski si dhe për ish-shefin e Byrosë për siguri publike, i cili kryesoi me shtabin operativ të MPB-së, Mitko Çavkov. Dëshmi në prokurori ka dhënë edhe zëvendës ministri, Agim Nuhiu, i cili udhëhoqi me policinë më 27 prillin e përgjakshëm. Edhe pse policia ka dorëzuar një kallëzim penal për organizatorët e protestës “Për Maqedoni të përbashkët”, tani për tani nuk ka informacione nëse prokuroria ka ndërmarrë hapa konkrete.

Bojan Stojanovski

Shpërndaj me