Prokurorja Speciale Katica Janeva është pritur nga kryetari i Këshillit të prokurorëve publik, Petar Anevski. Takimi është realizuar me kërkesë të Janevës ndërkohë që ka zgjatur vetëm gjysmë ore. Në fokus të diskutimit ka qenë arsyeja përse Specialja ka hequr dorë nga rasti “Puçi” kundër Zaevit dhe Vershuevskit dhe kur planifikon t’ia dorëzojë lëndën Këshillit. Anevski sqaroi se fillimisht do të kërkojë një pjesë të rastit ndërsa javën e ardhshme do të bien dakord për hapat e mëtejshëm në drejtim të zbardhjes së arsyeve përse Specialja tërhoqi aktakuzën.

Ramë dakord që javën e ardhshme të mbajmë takim të përbashkët me pesë prokurorët e Speciales dhe anëtarët e Këshillit, dhe do të merremi vesh rreth hapave të mëtutjeshëm për sqarimin e këtij rasti. Jemi të interesuar për rastin në tërësi dhe për arsyen përse hoqën dorë nga ndjekja e pesë personave të akuzuar – tha Petar Anevski, kryetar i Këshillit të prokurorëve publik.

Prokurorja Speciale nuk u ndal para kamerave, duke thënë se javën e ardhshme do të ketë më shumë informacione.

Nuk kam koment. Javën e ardhshme – u përgjigj shkurtë Katica Janeva, prokurore speciale.

Anevski njoftoi se me Janevën sot nuk kanë biseduar për marrjen e rastit “Sopoti” apo ndonjë lënde tjetër që i kërkon Specialja. Ndryshe para një muaji Prokuroria Speciale tërhoqi aktakuzën për rastin “Puçi” ku të akuzuar janë kreu i LSDM-së Zoran Zaev, ish drejtori i DSK-së Zoran Verushevski, dy kolegë të tyre nga policia sekrete, bashkëshortja e Verushevskit dhe një punonjës në komunën e Strumicës. Ata ngarkohen për dhunë ndaj përfaqësuesve të organeve më të larta të shtetit. Ndërsa rasti gjendej në gjykatë, Gjykata Penale refuzoi propozimin e Speciales që si dëshmitarë të thirret ish kryeministri Nikola Gruevski.

Bojan Stojanovski

Shpërndaj me