Komisioneri për zgjerim Johanes Han dhe tre eurodeputetët Flekenshtajn, Kukan dhe Vajgëll të martën do të zhvillojnë takime maratonë me të gjithë krerët e partive politike parlamentare dhe presidentin Gjorge Ivanov, me një agjendë që fillon rreth mesditës dhe përfundon në orët e mbrëmjes. Pavarësisht se nuk dihet mesazhi që do të sjellin përfaqësuesit e BE-së në vend, takimet janë paraparë të mbahen në Kuvend dhe do të fillojnë menjëherë pas takimit koordinues të grupeve parlamentare, për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit

12:40 – takim me Menduh Thaçin

13:00 – takim me Bilall Kasamin

13:50 – takim me Zijadin Selën

14:55 – takim me Ali Ahmetin

16:10 – takim me Zoran Zaevin

17:45 – takim me Gjorge Ivanovin

20:15 – takim me Nikolla Gruevskin

21:45 – Deklaratë e Hanit dhe eurodeputetëve

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiq ka konfirmuar se komisionari Han dhe eurodeputetët për shkak të agjendës së ngarkuar nuk do të takojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Han nuk do të takojë as organizatorët e protestës “Për Maqedoni të përbashkët”.

 Siç kam thënë të premten ai do të takojë përfaqësuesit politik. Është e vërtetë se ka pasur kërkesa të tjera poashtu dhe shpesh kur ai udhëton në Maqedoni ne përpiqemi që të takohen sa më shumë palë të përfshira që është e mundur, përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile por këtë herë komisioneri do të takojë vetëm përfaqësues politik meqë agjenda nuk lejon më shumë – deklaroi Maja Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së.

Ndërkohë presidenti Ivanov nga Hungaria ku ndodhet për vizitë zyrtare, në një intervistë për gazetën  „Maxhar Hírlap“ ka dërguar mesazhin se Maqedonia ka nevojë për zgjedhje të reja si opsion për dalje nga kriza. Në prononcimin për media, Ivanov kërkoi zhbllokim të institucioneve me hedhjen poshtë të Deklaratës së partive shqiptare.

Presim që BE dhe NATO me kujdes të shohin se çfarë ndodh në Maqedoni dhe në rajon dhe në këto moment të vështira duhet të dërgojnë mesazhe të forta për perspektivën tonë euro-atlantike dhe jot a bllokojnë Maqedoninë. Urgjentisht është e nevojshme që seanca konstituive e Kuvendit të përfundohet dhe të zgjidhet kryetar dhe të mund t’i zbatojmë normalisht aktivitetet që i kemi si shtet. Kurse e dyta është që shumica, të tërhiqet nga platforma e Tiranës që të mund ta marrë mandatin për të formuar Qeveri – tha  presidenti Gjorge Ivanov.

Javë më parë, Maqedoninë e vizitoi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini, e cila i bëri thirrje presidentit Ivanov t’i japë shumicës parlamentare, mandatin për formimin e Qeverisë së re.

Fatlume Dervishi

 

Shpërndaj me