Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe homologia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva sot në Sofje e nënshkruan Protokollin për këmbimin e dokumenteve të ratifikuara, me çka edhe zyrtarisht hyri në fuqi Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua më 1 gusht 2017 nga kryeministrat e dy shteteve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, për shkak të përforcimit të marrëdhënieve të ndërsjella miqësore, zhvillimin e fqinjësisë së mirë, zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjella në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Me këtë praktikisht përfundon procedura formale për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes, pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe të Parlamentit bullgar tre ditë më vonë.

Marrëveshja është rezultat i një procesi dakordues pesëvjeçar të grupeve të punës të të dyja MPJ-ve dhe paraqet zhvillim të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1990.

Shpërndaj me