Është e kundërligjshme dhe jashtë logjikës së tregut që t’i udhëzosh hotelierët me çfarë çmimesh t’i akomodojnë mysafirët për Superkupën e futbollit në Shkup. Ky është qëndrimi i Shoqatës së hotelierëve dhe Turizmit në Odën ekonomike, prej ku thonë se çdo hotelier ka të drejtën që vetë të vlerësojë për sa para do të bëjë prenotime. Ndërsa interesi për finalen mes Real Madridit dhe Mançester Junajted është i madh.

Ne si odë ekonomike dhe si shoqëri, nuk guxojmë të reagojmë në çmimet në kushte të ekonomisë së tregut. Nuk guxojmë të bëjmë asnjë veprimtari kur bëhet fjalë për çmimet, bëhet fjalë për segment të tregut- thotë Daniela Mihajlovska – Vasilevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Hotelet në Shkup nuk e lëshuan shansin e Superkupës që do të mbahet më 8 gusht, që për një natë të vendosin çmim prej 400 eurove. Për dy net çmimet tejkalojnë 1.000 euro. Kjo përpjekje për fitim të shpejtë hasi në kritika te publiku, ndërsa disa nga tifozët e Mançesterit dhe Real  tashmë planifikojnë të vendosen në shtetet fqinje me çmime më të lira. Nga Shoqata e hotelierëve thonë se kjo nuk është për shkak të çmimeve të larta të akomodimit, por shkaku i ofertave joatraktive në Shkup.

Shkak është mungesa e atraktivitetit të destinacionit në rastin konkret, të Shkupit si një qytet, sepse ne nuk jemi mjaft tërheqës për dëshirat dhe kërkesat e tyre. Ata duan që pas ndeshjes të shkojnë në restorant dhe të kalojnë 2, 3, 4, 5 orë, ndërsa ju në ora 1 e mbyllni restorantin. Çfarë atraksioni është ky? – tha Goran Damçevski – nënkryetar i Shoqatës së hotelierëve dhe turizëm

 Nga Shoqata thonë se edhe pse numri i turistëve është rritur në krahasim me vitin e kaluar, megjithatë hotelierët ende përballen me një sërë probleme të tilla si orari jofleksibil i punës, ikja e punëtorëve jashtë vendit, problemi i mbajtjes së bizneseve jashtë sezonit, për të cilën gjë kërkojnë angazhim më të madh dhe strategji nga qeveria.

Alsat-M

 

Shpërndaj me