ALSAT-M: Dënohet fjalori i Tv Sitel për azilkërkuesit Dënohet fjalori i Tv Sitel për azilkërkuesit ================================================================================ Alsat M on 12/03/2010 19:56:00 Këshilli i Nderit pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar dhe dënuar mënyrën e informimit nga ana e televizionit Sitel në edicionin e djeshëm të lajmeve të orës 12 ku fliste për kthimin e azilantëve nga Belgjika. Prezantuesi duke folur përpara kamerave tha “Lesi kthehet në shtëpi... Azilantët nga Maqedonia dhe Serbia mbrëmë u nisën nga Belgjika”. Gazmend Ajdini nga SHGM-së vlerëson se kjo është thyerje e kodit etik të gazetarëve të Maqedonisë. “Është një shembull shumë i shëmtuar dhe i keq kur mundohet që njerëzit të komparohen me fa tin e kafshëve siç është rasti i konkret një komparim me filmin “Lesi kthehet në shtëpi”. Një fjalor i tillë është definitivisht fjalor urrejtje dënojmë ashpër thjesht edhe si preventivë që kjo më mos të përsëritet”, deklaroi Gazmend Ajdini – sekretar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Zëvendëskryeredaktorja e Tv Sitel, Ivona Talevska, tha për ALSAT se bëhet fjalë për një gabim të një prezantuesi të ri të lajmeve dhe se televizioni Sitel nuk ka dashur të krahasojë azilkërkuesit me qentë. “Bëhet fjalë për një prezantues të ri të lajmeve i cili sapo ka filluar karrierën dhe nuk ka përvojë në ndërtimin e qëndrimit ose ndërtimin e politikës redaktuese. Bëhet fjalë për lëshim të vogël. Ajo është vetëm frazë, në asnjë rast Tv Sitel nuk kishte qëllim që shqiptarët, serbët, boshnjakët apo maqedonasit që duan të jenë azilantë në Belgjikë t’i krahasojë me qenë ose kafshë, ajo është frazë që përdoret”, tha Talevska. Lëvizja qytetare “Zgjohu” vlerëson se me këtë, televizioni Sitel ka ofenduar azilkërkuesit e Likovës dhe Kumanovës të cilët po ktheheshin me autobus nga Belgjika në vendlindje. “Këshilli për Radiodifuzion duhet t’ia marrë liçencën këtij televizion pasi po nxit urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare si dhe po tensionon marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend”, thuhet në reagimin e “Zgjohu”. Lëvizja “Zgjohu” fton shoqërinë civile shqiptare, biznesin shqiptar dhe të gjithë partitë politike dhe funksionarët shqiptarë që t’a bojkotojnë TV SITEL në rast se ky televizion nuk i kërkon falje qytetarëve të kthyer nga Belgjika dhe kombit shqiptar. Zëvendëskryeredaktorja e SITEL-it iu përgjigj edhe reagimit të Zgjohut. “TV Sitel mund të kërkoj falje tek të gjithë ata që janë ndier të nënçmuar, mirëpo të nënçmuar janë ndjerë vetëm SHGM dhe “Zgjohu”, pasi askush deri tani nuk ka reaguar. Nëse ata janë përfaqësues legjitim vetëm të shqiptarëve në Maqedoni atëherë mund t’i kuptojë pse reagojnë kështu”, theksoi Talevska. Talevska tha se Sitel ka ngritur padi ndaj SHGM-së se ndërhyn në politikën redaktuese të televizionit dhe shtyp fjalën e lirë, ndërsa kërkon nga institucionet hetim për punën e “Zgjohu”, që sipas saj bën ndarje të shoqërisë në Maqedoni dhe azilantët i paraqet vetëm si shqiptarë. Shkëlzen Aqifi