ALSAT-M: Azilkërkuesit kthehen nga Belgjika Azilkërkuesit kthehen nga Belgjika ================================================================================ ALSAT M on 10/03/2010 16:09:00 Numri 59 para dyerve të zyrës së të huajve në Belgjikë do të mbetet gjatë në kujtesën e azilkërkuesve nga Maqedonia dhe nga Serbia. Para kësaj zyre ku u përplasën disa javë më parë me shpresë për të gjetur një jetë më të mirë, sot po marrin autobusin e kthimit për në vendet nga vijnë. Është kthimi i parë vullnetar i organizuar nga autoritetet belge. “Bëhet fjalë për një autobus i cili financohet sigurisht nga shteti belg. Ka tre shoferë dhe udhëtimi pritet të zgjasë nga 30 deri në 35 orë dhe mbërritja e qytetarëve nga Maqedonia dhe atyre nga Serbia, në Kumanovë parashikohet të enjten paradite dhe në Preshëvë të njëjtën ditë rreth orëve të pasdites”, u shpreh Dominique Ernould, zëdhënëse e zyrës së të huajve në Belgjikë. Në autobus u ofrohet ushqim dhe pije freskuese, ndërsa përveç shoferëve, bashkë me ta udhëtojnë edhe një punonjës i zyrës belge të të huajve dhe dy përkthyes. “Bileta e autobusit është falas dhe brenda tij iu ofrohet ushqim. Do të kenë kështu mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në kushtet më të mira. Kjo sepse e dinë shumë mirë se në Belgjikë nuk do t’ju jepet azil pasi e kërkojnë për arsye ekonomike dhe në Belgjikë nuk ka azil ekonomik”, sqaroi u shpreh Dominique Ernould, zëdhënëse e zyrës së të huajve në Belgjikë. 41 persona, familjarë apo jo, burra, gra e fëmijë, të mashtruar, të zhgënjyer e të dëshpëruar pas disa javësh aventurash aspak të këndshme në vend të huaj mbushën me ngadalë autobusin që i kthen në shtëpitë që braktisën. Një pjesë e mirë shajnë mediat, kamerat, nuk preferojnë të flasin. Vetëm njëri prej tyre tregon çfarë gjeti në Belgjikë ndërsa pyet veten çfarë e pret në vendlindje. “Rrugëve kemi ndenjur. Unë s’po them që ne nuk jemi mashtruar por edhe këta do kishin bërë mirë të na thonin që në fillim që s’ka azil dhe mos u paraqitni. Tani a do të kemi pengesa prej shtetit tonë nuk e dimë. Është e mundur të kemi pengesa edhe prej shtetit, por kush e di”, tha Sali Sejdia, banor i Luginës së Preshevës. Sipas autoriteteve belge me kthimin e parë të organizuar nga vetë këta të fundit fenomeni i azilkërkuesve pritet të ulet edhe më shumë. Zëdhënësja Ernould rrëfeu për Alsat M se ndërsa dje ka pasur 11 kërkesa të reja për azil nga qytetarë nga Maqedonia dhe Serbia, sot ka qenë dita e parë e këtij viti kur zyra e të huajve në Bruksel nuk ka regjistruar asnjë kërkesë. Ernest Bunguri