ALSAT-M: EULEX-i bastis shtëpinë e Azem Sylës EULEX-i bastis shtëpinë e Azem Sylës ================================================================================ Alsat M on 28/07/2010 11:26:00 Policia e EULEX-it ka intensifikuar hetimet në lidhje me rastin “Bllaca”. Të mërkurën paradite 12 pjesëtarë të këtij misioni kanë bastisur për disa orë shtëpinë e ish Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, një funksionar i lartë i Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi. Gjashtë makina të EULEX-it kanë filluar bastisjet në shtëpinë e ish komandantit në fshatin Kishnarekë të Drenasit, komunë në rajonin e Drenicës, në orën 10:00 të mëngjesit, ndërsa kanë përfunduar ato rreth orës dy të pasdites, prej nga kanë konfiskuar disa dokumente. Sipas EULEX, bastisja është autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ndërsa një prokuror special i EULEX-it ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes për të siguruar mbledhjen e efektshme të materialit dëshmues dhe të japë shpjegime të plota për personat e pranishëm në vendngjarje. Pas përfundimit të bastisjes të shtëpisë së ish komandantit të UÇK-së, i është dorëzuar ftesa për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale të EULEX-it, ku siç thuhet në një njoftim të këtij misioni “i dyshuari duhet të paraqitet një javë nga data e dorëzimit të ftesë”. Deri tani EULEX-i ka kryer disa bastisje në lidhje me rastin Bllaca, e po ashtu, ka arrestuar katër persona, të cilët pasi janë intervistuar u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak. Azem Syla është zyrtari më i lartë të cilit i është bastisur shtëpia nga EULEX-i që nga fillimi i hetimeve në nëntor të vitit të kaluar, kur Nazim Bllaca, nga Lipjani pati deklaruar publikisht para medieve se ka marrë pjesë në 17 raste të tjera kriminale që përfshijnë vrasje politike, rrahje, kërcënime dhe shantazhe. Bllaca ka thënë se atë kohë ka qenë pjesëtarë i SHIK-ut dhe se eprorë të tij të kenë qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij Shpresim Uka. alsat-m