ALSAT-M: Thaçi: Jokorrekte 5 vendet e BE-së të bllokojnë Kosovën Thaçi: Jokorrekte 5 vendet e BE-së të bllokojnë Kosovën ================================================================================ Alsat M on 28/07/2010 09:33:00 Pesë vendet evropiane, që refuzojnë ta njohin Kosovën, po veprojnë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe në mënyrë jo të drejtë po e bllokojnë shtetin më të ri në rrugën e tij kah prosperiteti, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për të përditshmen londineze Tajms. Ai mëtutje, ka kërkuar nga Spanja, Rumania, Greqia, Qiproja dhe Sllovakia, që ta mbështesin pavarësinë e Kosovës pa shtyrje, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund t’i bashkohen BE-së. “Ne presim unitet evropian për Kosovën, tha kryeministri i Kosovës, në intervistën e parë të tij, prej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, javën e kaluar, tha se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. “Spanja, Greqia dhe të tjerët na kanë thënë se ato po pritnin opinionin e GJND-së”, tha Hashim Thaçi, dhe shtoi se “tash është ekstremisht e qartë dhe mosnjohja e Kosovës është jokorrekte dhe në mënyrë të padrejtë e vonon perspektivën tonë evropiane”. Sipas zotit Thaçi, “ne nuk mund të presim që Serbia ta njohë Kosovën, para Spanjës dhe Greqisë”.