ALSAT-M: Krasniqi kërkoi njohje nga Pakistani, Bangladeshi... Krasniqi kërkoi njohje nga Pakistani, Bangladeshi... ================================================================================ Alsat M on 07/02/2010 09:44:00 Delegacioni i Kuvendit të Kosovës është kthyer të shtunën nga vizita në Mbretërinë e Bashkuar – ku kishte marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Parlamentare, me ftesë të Asociacionit Parlamentar të Commonwealth-it Britanik. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka bërë të ditur se në kuadër të kësaj vizite – krahas takimeve me zyrtarë të lartë britanikë nga të cilët ka kërkuar mbështetje për strategjinë për integrimin e veriut të vendit – ai ka pasur takime të shumta me përfaqësues të shteteve të ndryshme, pjesëmarrës në këtë konferencë – të cilët i ka njoftuar me zhvillimet në vendin tonë, si dhe ka kërkuar njohje të Kosovës. Krasniqi tha se ka takuar përfaqësues nga Pakistani, Bangladeshi, Sudani etj., nga të cilët është kërkuar njohja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me ç’rast janë marrë zotime se do të ndikohet te qeveritë respektive që ta kenë parasysh njohjen e Kosovës. “Ndoshta edhe vet prezenca jonë në këtë Konferencë të organizuar nga Commonëealth-i Britanik, ka bërë që të ketë një interes të shtuar nga vendet anëtare të Commonëealth-it”, theksoi Krasniqi. /telegrafi/