ALSAT-M: Mund të ketë sërish ulje të çmimit të bukës Mund të ketë sërish ulje të çmimit të bukës ================================================================================ Alsat M on 03/08/2009 11:42:00 Ekspertët vlerësojnë se sasia e madhe e miellit që aktualisht gjendet në Maqedoni, së shpejti do të ndikojë në uljen e sërishme të çmimit të bukës. Arsyeja se pse ndodh e gjithë kjo, është rritja e rezervave dhe importi nga vendet tjera. “Sipas informatave zyrtrae dhe jozyrtare që i kemi deri në ditën e sotme dhe sipas të dhënave nga mediat, vlerësojmë se këtë vit duhet të priten ulje të çmimit të disa produkteve bujqësore, për shkak se kemi rezerva të mëdha të drithërave”, deklaroi Milisav Ivanov nga Instituti i Bujqësisë. Nga ulja e çmimit, duket se më së shumti do të pësojnë bujqit. “Më së shumti do të pësojnë prodhuesit të cilët nuk mund të shesin prodhimin e drithërave, elbit dhe grurit. Në këtë mënyrë prodhuesit vihen në pozitë të vështirë”, theksoi Ivanov. Problemi me çmimin e drithërave, tanimë një kohë të gjatë nuk po mund të zgjidhet, mirëpo edhe më tej, pronarët e mullinjve, vlerësojnë se çmimi duhet të jetë në një vlerë të caktuar të tregut, ndërsa bujqit insistojnë që çmimi i grurit të jetë 12 denarë. Në gjithë këtë situatë Ministria e Bujqësisë ka marrë vetëm se rolin e ndërmjetësuesit për shkak se nuk mund të ndërhyjë në çmimin e ekonomisë së tregut të lirë. Nurten Elezi