Rryma e lirë ditore ka arritur tek amvisëritë e para. Ekipet e EVN Maqedonisë në mëngjes filluan me përshtatjen e matësve të shfrytëzuesve, që do të thotë se një pjesë e tyre sot në periudhën prej orës 14 deri në orën 16 shfrytëzuan energji elektrike me çmim dyfish më të lirë sesa normalja. Nga EVN paralajmërojnë se procesi do të zhvillohet nëpër grupe lexuese dhe do të zgjasë katër javë, periudhë në të cilën duhet të përshtaten rreth 800 mijë matës. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, shfrytëzuesit e fundit pritet të kenë dy orë rrymë të lirë ditore deri më 23 tetor.

Shfrytëzuesit para kohe njoftohen përmes faturës së rrymës se në cilën periudhë do t’u përshtatet matësi. Gjatë përshtatjes, nevojitet kontakt fizik me çdo matës nga ana e ekipeve të EVN-së, në kohëzgjatje prej 45 sekonda deri një minutë, varësisht nga lloji i matësit. Në ekranin e matësit tek i cili është përshtatur tarifa e lirë ditore, do të aktivizohet treguesi për tarifën T2 – deklaroi EVN -Maqedoni.

Aplikimi i rrymës së lirë ditore bëhet me nismë nga qeveria si një nga premtimet kryesore në programin parazgjedhor të LSDM-së. Vlerësimet janë se për shkak të kësaj mase dhe faturave më të lira, në arkat e kompanive energjetike në vit do të përfundojnë 8 milion euro më pak. Nga qeveria sigurojnë se kjo nuk do ta shtrenjtoj çmimin e rrymës vitin e ardhshëm, ndërsa të ardhurat më të ulëta do të kompensohen me kursime. Nga kompania shtetërore ELEM e cila posedon 47.6% nga çdo faturë e rrymës, thonë se do të kursejnë duke punuar në mënyrë amvisërore.

Lidhur me kursimet, unë mund të them se me ardhjen tonë arritëm çmimin më të ulët për gërmimin e qymyrit prej 44 denarë për gigaxhoull. Nëse janë paraparë 13 milion euro për atë furnizim publik, i njëjti furnizim publik tani nëse realizohet, do të kushtonte rreth 6 milion euro. Do të thotë, kursimet në këtë pjesë veç më janë 7 milion euro – theksoi Dragi Minovski, drejtor i përgjithshëm i SH.A ELEM.

Rryma e lirë ditore kthehet përsëri pasi u ndërpre në vitin 2012. Prej atëherë e deri më sot, qytetarët tarifë të lirë shfrytëzonin vetëm gjatë natës, edhe atë prej orës 22 deri më orën 07 të mëngjesit dhe për fundjavë prej orës 22 të shtunën deri më orën 07 të hënën.

Mirko Trajanovski

Shpërndaj me