Pas Greqisë dhe Bullgarisë Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën, rekomandojnë ekspertët. Profesori universitar, Bekim Kadriu dhe Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane vlerësojnë se Maqedonia duhet të forcojë marrëdhëniet e mira me të gjitha shtetet fqinje, si një nga parakushtet për anëtarësim në BE.

Nuk duhet të lihen anash edhe kontaktet bilaterale me shtetet tjera fqinje: me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, poashtu edhe me Republikën e Serbisë. Të gjithë këto kontakte janë të rëndësishme për raportet e mira fqinjësore për pozicionimin e Maqedonisë dhe bashkëpunimin me shtetet fqinje, sidomos me problemet që shtetet i kanë të përbashkëta. Pra probleme që kanë të bëjnë p.sh. me migrimin, me tregtinë me njerëz – deklaroi Bekim Kadriu, profesor universitar.

Patjetër të përkufizojmë se me shtetet që janë anëtare në BE, në rastin tonë me Greqinë dhe Bullgarinë punojmë shtesë në disa sfera, respektivisht negociojmë në aspekt të ndihmës për ne në anëtarësimin në BE dhe zgjidhje, respektisht dialog për çështjet e hapura. Me vendet tjera të rajonit, nëse këtu i shohim: Serbinë, Shqipërinë dhe Kosovën… Ne e ndajmë gjeografinë, me një pjesë të tyre e ndajmë historinë e përbashkët dhe gjithsesi se duhet të jemi të hapur për bisedime – tha Simonida Kaçarska, Instituti për Politikë Evropiane.

Të pyetur nëse rikthimi i diplomacisë me takimet e fundit dypalëshe në Greqi e Bullgari kanë për qëllim sinqerisht krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ose janë masë populiste, ekspertët me përgjigje:

Do të na duhet kohë më e gjatë të shohim ku do të arrijë kjo qeveri. Gjithsesi kjo paraqet fillimin e një ofensive të madhe dhe na duhet kohë më e gjatë të shohim a është afat-gjate apo është masë populiste – u shpreh Simonida Kaçarska, Instituti për Politikë Evropiane.

Nuk mund të supozojmë se janë masë populiste, përkundrazi mendoj që është një qasje më serioze dhe më e sinqertë nga qeveria paraprake lidhur me tejkalimin e këtyre pengesave, që Republika e Maqedonisë i ka pasur me shtetet fqinje, që njëkohësisht janë paraqitur si pengesë në rrugën e saj euro-atlantike – theksoi Bekim Kadriu, profesor universitar.

Ministri Dimitrov mori pjesë në inaugurimin e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe e takoi atë bashkë me Presidentin Gjorge Ivanov. Njëherësh Dimitrov paralajmëroi takime zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë, pasi të përfundojnë pas formimit të qeverive në të dy vendet.

Anesa Aliti

Shpërndaj me