Për mbrojtje efikase sociale dhe luftë kundër varfërisë, shteti duhet të ndajë nga 250 milion euro në vit, tregon analiza e institutit për hulumtime ekonomike “Finance Think”. Kjo është për dy herë e gjysmë më shumë se 100 milionë eurot që për momentin ndahen për asistencë sociale. Analiza tregon se sistemi aktual e zvogëlon varfërinë në vend për vetëm 5%. asistenca maksimale sociale që për momentin e merr një familje gjatë muajit është 6000 denarë jo të plota.

Ndihmat ose të drejtat sociale kanë vlerë shumë të ulët. Ato asnjëherë nuk e tejkalojnë as shumën e varfërisë absolute dhe normalisht sipas definicionit, ato nuk mund të ndihmojnë që qytetari t’i ikë varfërisë -tha Nikica Mojsoska Blazhevski, profesoreshë universitare.

Autorët e analizës propozojnë tre modele të mbrojtjes sociale sipas të cilëve, një familje do të kishte të ardhura të garantuara minimale prej 9660 deri në 15.300 denarë. Me cilindo prej modeleve të planifikuara, varfëria do të ulej prej 9% deri në 10% dhe në Maqedoni nuk do të kishte banor që jeton me më pak se dy dollarë në ditë. Megjithatë, dikush duhet ta paguajë çmimin. Gjegjësisht të sigurohen mjete shtesë në buxhet ose të ketë shkurtime nga shpenzimet tjera.

Nëse nisemi nga kjo perspektivë dhe themi se na duhen 250 milion euro për këtë punë, që i jep efektet e prezantuara, atëherë prej ku t’i gjejmë këto mjete? Do t’i gjejmë tek akciza, tek tatimi progresiv dhe mendoj se edhe debati publik do të qetësohet më shumë -u shpreh Marijan Petreski, profesor universitar.

Ndryshe, LSDM para zgjedhjeve premtoi të ardhura të garantuara mujore pre 12 mijë denarë për çdo familje. Për momentin nuk ka detaje se si do të realizohet masa e këtillë, që sipas paralajmërimeve, do të filloj të zbatohet nga fundi i këtij ose fillimi i vitit të ardhshëm.

Mirko Trajanovski

Shpërndaj me