Ekspertët nuk shohin asgjë të keqe në vendimin e Komisionit Evropian sipas të cilit Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian para vitit 2025. Përkundrazi ata vlerësojnë se më këtë vendim, BE-ja i jep Maqedonisë periudhën kohore që i duhet për t’i realizuar reformat e kërkuara.

Unë mendoj se çështja e euro-integrimeve nuk është çështje kohe dhe unë këto punët e afateve nuk i preferoj dhe nuk i adhuroj shumë. Republika e Maqedonisë ka punë konkrete për të bërë, që janë të evidentuara në të gjitha raportet e institucioneve të Unionit Evropian, madje edhe të ekspertëve që kanë qenë të angazhuar pikërisht për atë çështje- deklaroi profesor universitar Bekim Kadriu.

Pozitive është se tashmë ekziston interes i brendshëm për integrim të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe iu jepet periudhë reale për konsolidimin e tyre të brendshëm në procesin e reformave dhe atë që realisht mund ta ofrojnë drejt anëtarësimit të plotë- deklaroi Aleksandar Jovanoski nga instituti për Politikë Evropiane.

Por a ka mundësi që ky vendim të ketë kundër-efekt, respektivisht të krijojë euro-skepticizëm te qytetarët gjatë kësaj periudhe të gjatë pritjeje?

Jo, nuk e besoj unë këtë gjë. Derisa qytetarët e Maqedonisë nuk krijuan euro-skepticizëm në këto 10 vitet e fundit, unë nuk besoj se ka hapësirë që euro-skepticizëm të krijohet tani. Përkundrazi atmosfera aktuale është më pozitive sesa që ka qenë lidhur me euro-integrimet. Edhe diçka, që të paraqitet euroskepticizmi qytetarët duhet të kenë ndonjë alternativë tjetër. Alternativë tjetër nuk ka- shtoi Bekim Kadriu.

Në Evropë veçanërisht pas Brexitit dhe zgjedhjeve në Francë dhe në Gjermani shohim një besim të ri në procesin e zgjerimit. Dhe ky euro-pozitivizëm në një farë mënyre ngadalë hidhet në Ballkan. Republika e Maqedonisë akoma është një nga vendet me përqindjen më të lartë të mbështetësve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky numër është diku mbi 70% dhe vlerësoj se të gjithë aktorët në procesin e euro-integrimeve duhet ta shfrytëzojnë këtë moment- theksoi Aleksandar Jovanoski.

Departizimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë, janë kushtet kryesore që Maqedonia duhet t’i plotësojë për të filluar negociatat dhe për t’u anëtarësuar në BE.

Anesa Salihu

Shpërndaj me