Qeveria e ardhshme thuajse nuk do të guxojë të merr borxh. Nëse rritja ekonomike është nën 3% në nivel vjetor, borxhi shtetëror ku bën pjesë edhe borxhi i qeverisë, i komunave dhe fondeve publike mund të rritet vetëm për 2% nga 39.1% i Prodhimit Bruto Vendor aktual. Çdo huamarrje që do të jetë mbi 41% nga Prodhimi Bruto Vendor, vështirë se do të kthehet në të ardhmen.

Edhe pse hapësirë për huamarrje tjetër ka, pjesa më e madhe e hapësirës fiskale tashmë është konsumuar, gjegjësisht është shfrytëzuar – tha Teodora Arsovska, Finance Think.

Analizat tregojnë se në skenarin më të keq, me rritje të ulët ekonomike, deficit të lartë dhe investime të ulëta kapitale, borxhi qeveritar dhe publik mund të kthehen pa problem nëse janë deri në 41% respektivisht 51% nga Prodhimi bruto vendor.

SKENARI NEGATIV

Rritje nën 3%
Deficit i lartë
Investime të ulëta kapitale
Borxh shtetëror 41%
Borxh publik 51%

SKENARI POZITIV

Rritje mbi 3%
Deficit të ulët
Investime të larta kapitale
Borxh shtetëror 48.7%
Borxh publik 59.2%

Nëse rritja është mbi 3% dhe nëse paratë e buxhetit shpenzohen siç duhet, huamarrja mund të rritet dhe pa problem të kthehet nëse borxhi shtetëror është 48.7%, ndërsa ai publik 59.2% nga PBV. Për këtë, nga organizata Finance Think propozojnë të merren masa ekonomike që më lehtë të kthehet borxhi.

Nëse huamarrjet e ardhshme i shfrytëzojmë për shpenzime kapitale që do të krijojnë vlerë të re të shtuar, që do ta rritin prodhimtarinë industriale dhe ekonominë, kjo do të thotë se hapësira edhe më tej do të zgjerohet – deklaroi Bllagica Petreski, Finance Think.

Përveç kësaj në të ardhmen pensionet duhet të rriten aq sa rritet ekonomia ndërsa pritet të stabilizohet veprimtaria afariste, të kemi rritje më të lartë ekonomike, rejting më të mirë kreditor si dhe të marrim borxh brenda shtetit e jo jashtë tij. Ndryshe, në tetë vitet e fundit borxhi shtetëror dhe publik është rritur për dyfish apo çdo qytetar i Maqedonisë në vitin 2016 ka pasur hua prej 2274 euro.

Goran Temenugov

Shpërndaj me