Dëshmitarë të Speciales janë ankuar se kanë frikë nga deputeti i BDI-së, Ejup Alimi. Prokurorja Fatime Fetai sot në seancë publike në Gjykatën e Apelit tha se dëshmitarët e tyre kanë frikë nga Alimi për sigurinë e tyre, por edhe për sigurinë e familjeve të tyre. Sipas tyre, ai është njeri shumë i fuqishëm dhe është pjesë e BDI-së në pushtet. Disa dëshmitarë janë frikësuar nga ai edhe kur Alimi nuk ishte deputet dhe nuk kishte funksion të rëndësishëm dhe me ndikim.

Në këtë rast të veçantë, jo vetëm se ka rrethana që tregojnë se i pandehuri dhe ky që ishte i pranishëm, por edhe tjetri, mund të ndikojnë mbi dëshmitarët në procedurë, por ka edhe diçka më shumë. Ekziston frikë në mesin e dëshmitarëve për sigurinë personale dhe sigurinë e familjeve të tyre. Si përfaqësues i kësaj lënde m’u desh të citoj pjesë të deklaratave të këtyre dëshmitarëve,  që gjykata më e lartë të bindet se ka baza për paraburgim – deklaroi Fatime Fetai, PSP.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së Ejup Alimi, në një deklaratë të shkurtër para gjyqtarëve të apelit tha se edhe nëse e paraburgosin në një vend tjetër, do të arratiset që të kthehet në Maqedoni për të qenë prezent në procedurën kundër tij që zhvillohet këtu.

Ai dhe avokati i tij thonë se ata nuk ndikojnë në dëshmitarët.

Ejup Alimi dhe Ismet Guri janë akuzuar në rastin “Titanik 3”. Specialja kërkoi paraburgim, por Penalja nuk e përcaktoi këtë masë. PSP ka ankimuar vendimet në Gjykatën e Apelit. Të dy janë të akuzuar për shkatërrimin e materialit zgjedhor. Përveç për funksionarë të BDI-së, PSP kërkoi masa kujdesi edhe për liderin e PDSH-së Menduh Thaçi dhe anëtarin e KSHZ-së të kësaj partie, Bedredin Ibrahimi.

Bojan Stojanovski

Shpërndaj me