Këtë herë, Bebe Rexha e ka shprehur në një tjetër mënyrë krenarinë për origjinën, e këtu nuk ka përfshirë vetëm veten, por dhe këngëtaren tjetër shqiptare me famë botërore Dua Lipën.

Ajo ka publikuar dhjetëshen e parë të renditjes së këngëtarëve në “The Hot 100” të Billboard. Kënga ‘Meant To Be’, bashkëpunim që Rexha e ka sjellë së bashku me Florida Georgia Line, mban vendin e nëntë, e nëse hedh sytë edhe më lart, sheh një tjetër emër po kaq të suksesshëm.

Bëhet fjalë për Dua Lipën, e cila kryeson në vendin e gjashtë me ‘New Rules’. Bebe nuk e ka lënë në hije një detaj të tillë, duke dedikuar disa fjalë bashkangjitur postimit: “Zoti vazhdon të më bekojë dhe jam shumë mirënjohëse. Një britmë të madhe gëzimi për të gjitha vajzat në top dhjetëshe. Oh, dhe dy vajza shqiptare në po të njejtën listë.”

Këngëtarja nuk është mjaftuar me kaq, duke vendosur prapa shkrimit edhe ikonën e flamurit kuq e zi. Mesa duket, Bebe dhe Dua jo vetëm që nuk kanë konkurrencë me njëra-tjetrën, por gëzojnë edhe sukseset e përbashkëta, duke e lidhur natyrisht, edhe me origjinën. Kjo është vërtetë krenari për këngëtaret.

Shpërndaj me