Ministria e Brendshme ka pezulluar edhe 15 policë të tjerë të cilët më 27 prill në Kuvend nuk kanë vepruar profesionalisht. Në mesin e të pezulluarve është edhe ndihmës ministri i angazhuar për çështje telekomunikimi Nebojsha Stajkoviq, i cili do të mbajë përgjegjësi për mos funksionimin e tetra- sistemin, i cili regjistron komandot nga drejtoritë kryesore në MPB siç janë Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Byroja për Siguri Publike dhe drejtoria e gjashtë, gjatë dhënies së urdhrave në masa operative dhe aksione policore.
Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu kohë më parë në Alsat paralajmëroi hetim të plotë për mos funksionimin e sistemit për regjistrimin e komandove që nga viti 2014.

Menjëherë kam kërkuar ekspertizë dhe vlerësim se vallë janë të incizuara të gjitha komandat që janë dhënë nga tetra sistemi. Kam thirrur ekspert gjerman dhe ai ka bërë vlerësimin se dy serverë nuk kanë qenë të kyçur në aparatin për incizim dhe se një gjë e tillë nuk funksionon nga vitit 2014 – tha Agim Nuhiu, Ministër i Brendshëm.

Pak ditë pas ngjarjeve të përgjakshme nga MPB u pezulluan gjashtë persona. Ndër ta janë Oliver Popovski, kryeshef i preventivës, Marjan Mitevski, kryeshef i sigurimit të Trajko Veljanovskit, Sasho Milloshevski inspektor për të cilin është konstatuar se ka penguar policët të formojnë kordonë, Mite Mihajllov, inspektor në SPB Shkup dhe Abdylfetah Alimi i punësuar në drejtorinë e gjashtë, i cili më pas ka shpëtuar kreun e LR PDSH-së Zijadin Sela. Përveç pezullimeve drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov është shkarkuar nga Shtabi operativ dhe në vendin e tij është emëruar Goranço Savovski. Numri i policëve të pezulluar pritet të shtohet me përfundimin e raportit nga Kontrolli i Brendshëm pranë MPB-së i cili pritet të finalizohet javën e ardhshme.

Adrian Kerimi

Shpërndaj me