Ministria e Brendshme vazhdon hetimet lidhur me identifikimin e personave të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Së fundi është realizuar bisedë informative me dy persona, njëri prej të cilëve dyshohet për sulmin ndaj sigurimit të deputetit Oliver Spasovski ndërsa tjetri për hapjen e portës hyrëse të Kuvendit.

“I denoncuari i parë A.B 60 vjeç nga Tetova në momentin e hyrjes në sallën e konferencave ka tentuar të përleshet fizikisht me sigurimin e deputetit Spasovski të cilin edhe e ka kërcënuar. Personi A.SH, 22 vjeç nga Shkupi ka hapur me dhunë portën hyrëse të Kuvendit duke e goditur me duar dhe këmbë ndërsa më pas ka shtyrë edhe policët të cilët kishin formuar kordonin” , njoftojnë nga MPB-ja.

Hetimet e policisë të bazuara nga kontrolli i kamerave të sigurisë kanë konstatuar se në Kuvend kanë qenë prezent edhe 8 persona të tjerë të cilët nuk kanë kryer asnjë veprim në kundërshtim me ligjin. Nga MPB thonë se kanë kërkuar leje nga Prokuroria Publike për të siguruar nga operatorët e telekomunikimit listat e bisedave të zhvilluara nga personat e dyshuar për ngjarjet e 27 prillit dhe komunikimet e tyre edhe ditëve para se të ndodhte e enjtja e përgjakshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, MPB-ja ka zhvilluar bisedë informative edhe me dy nëpunësitë DSK-së të cilët dyshohen se me urdhër të një eprori nga kjo drejtori kanë tentuar t’i fshin incizimet nga kamerat e sigurisë në Kuvend. Ministria e Brendshme me urdhër të Prokurorisë ka tentuar të kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit Igor Jug i cili në sallën e konferencave për shtyp vërehet me armë të ftohtë, por me urdhër të gjykatëses Sandra Kërstiq është anuluar bastisja dhe hyrja brenda shtëpisë. Nga MPB njoftojnë se janë duke hetuar edhe të dyshuarit tjerë të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit, përfshi këtu edhe fshehjen e të dyshuarve nëpër manastire të ndryshme nga ana e priftërinjve. Deri më tani MPB ka iniciuar padi penale ndaj 37 personave. 4 prej tyre për tentim vrasje, ndërsa 33 për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës.

Adrian Kerimi

Shpërndaj me