Maqedonia nuk po arrin të ul deficitin tregtar. Edhe në vitin 2017, importi ishte më i lartë sesa eksporti për rreth 1.7 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikës, në periudhën janar- nëntor deficiti është mbi 1,6 miliardë euro. Me këtë rast, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rritet eksporti, por rritet edhe importi. Vlera e mallrave dhe shërbimeve vendore që janë plasuar jashtë vendit ka shënuar rritje për rreth 600 milionë euro, por njëherësh janë importuar produkte për 700 milionë euro më tepër. Qeveria në kuadër të Planit për rritje ekonomike paralajmëroi se do t’i mbështes kompanitë që do të përvetësojnë tregje të reja. Megjithatë, sipas biznesmenëve dhe ekonomistëve, bëhet fjalë për problem strukturor për tejkalimin e të cilit është e domosdoshme ndërmarrja e masave serioze.

Nuk mundet njëtrajtshëm e as që mundet në periudhë afatshkurtër. Këto janë masa afatgjate, por duhet pasur platformë, vizion dhe çfarë duam të arrijmë me masat që i zbatojmë- tha Menderes Kuçi, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Kjo është pika e dobët e shoqërisë. Nëse ju keni deficit, pra brenda vitit ju derdhen 1,7 miliardë euro dhe kjo të gjithë neve na sjell në situatë likuiditeti. Kemi fatin e mirë që diaspora është serioze, andaj një pjesë e këtyre parave kthehen përmes Diasporës- deklaroi Zoran Vitanov, Asociacioni i Menaxherëve të Maqedonisë

Partneri më i madh tregtar i vendit edhe në vitin 2017ishte Gjermania, ku bën pjesë thuajse një e katërta e shkëmbimit të përgjithshëm tregtar. Gjermania është njëra nga vendet e rralla me të cilën realizojmë suficit. Më pas, vijojnë Britania e Madhe, Greqia dhe Serbia, por nga të gjitha këto shtete më shumë importojmë sesa eksportojmë.

Mirko Trajanovski 

Shpërndaj me