Kontesti 25 vjeçar i emrit edhe më tej paraqet pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit më të madh mes Maqedonisë dhe Greqisë. Forumet ekonomike mes biznesmenëve nga këto dy vende fqinje janë dukuri e rrallë. I pari u mbajt para dy viteve në Selanik ndërsa i dyti sot në Shkup. Varshmëria e Maqedonisë nga porti i Selanikut, interesi i kompanive greke për tregun maqedonas dhe afërsia gjeografike janë parakushte për rritjen e bashkëpunimit, por kontesti i emrit gjithsesi mund të jetë pengesë, thonë biznesmenët nga Greqia.

Kur ka interes financiar, njerëzit këmbëngulin që t’i tejkalojnë problemet, por kuptohet, po të mos ishte çështje politike, gjërat do të ishin edhe më mirë. Kjo krijon pengesë të caktuar. Ka shumë biznesmenë nga Greqia që shumë punojnë këtu dhe ka interes të madh, jo vetëm nga kompanitë, por edhe nga persona fizik nga vendi juaj që të investojnë në Greqi. Megjithatë, çështja e emrit është problem i madh- deklaroi Kirjakos Lufakis- kryetar i Asociacionit grek të biznesit, CEBE.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se përqindja më e madhe e fitimit realizohet në sektorin e agro-biznesit, sektoritt IT dhe ndërtimtari. Kërkojnë nga të dy shtetet të punojnë për lidhje më të mirë në infrastrukturë, sidomos në trafikun hekurudhor dhe atë ajror.

Ajo që ndikon drejtpërdrejtë në relacionet e biznesit mes Maqedonisë dhe Greqisë është mungesa e linjës ajrore e cila i lidh dy shtetet. Disa herë kemi aplikuar për vendosjen e linjës Shkup- Athinë, që biznesmenët e dy vendeve më lehtë të komunikojnë dhe më lehtë të lidhin marrëveshje- deklaroi Daniela Arsovska- kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike.

Greqia në vitin 2016-të ishte partneri i katërt më i madh i Maqedonisë. Këmbimi i përgjithshëm në nivel vjetor ka arritur shifrën prej afër 600 milionë euro, prej të cilave 450 milionë euro import dhe 150 milionë eksport. Kompanitë greke janë një prej investitorëve më të mëdhenj në Maqedoni, më prezent janë para se gjithash në sektorin bankar, industrinë e naftës, në tregti dhe industrinë e tekstilit.

Mirko Trajnovski

Shpërndaj me