Më datë 11 dhe 12 dhjetor në Bruksel, Metju Nimic do t’i ulë negociuesit e Maqedonisë dhe Greqisë për dallimet rreth emrit. Por, në njoftimin e Kombeve të Bashkuara nuk ka detaje konkrete nëse Nimic do të ketë takime të përbashkëta apo të ndara me përfaqësuesit e të dyja vendeve dhe nëse në lojë hyn eventualisht propozim- zgjidhja e tij e re. Euro ambasadori, Samuel Zhbogar sot gjatë vizitës në SPB Shkup theksoi se Brukseli pret që institucionet të tregojnë përkushtim dhe rezultate konkrete lidhur me reformat dhe çështjet tjera të hapura dhe nëse ndodh kjo, vitin e ardhshëm do të ketë rezultate të mira. Në pyetjen gazetareske nëse është i mundur një presion ndërkombëtar për Greqinë që të lejohet hyrje e shtetit në NATO nën referencën e përkohshme të KB-ve, apo ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Zhbogar u përgjigj:

Nuk ka zgjidhje kur njëra palë është e kënaqur ndërsa tjetra jo, dhe të gjitha kompromiset bazohen në atë që të dyja palët ta pranojnë zgjidhjen. Kjo është mënyra e vetme që të ketë zgjidhje afatgjate -deklaroi Samuel Zhbogar, euroambasador.

Lidhur me kontaktet e shpeshtuara mes Maqedonisë dhe Greqisë, Simonida Kacarska nga Instituti për politikë evropiane, shprehet se bëhet fjalë për hap pozitiv. Megjithatë, ajo nuk pret që të ketë ndonjë epilog për emrin në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Nga ana jonë, presim që të paktën një pjesë e kushteve që Maqedonia i kishte në raport me rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në lidhur me avancimin dhe lidhur me kriteret politike, do të mënjanohen deri në muajin prill, por, është vështirë të shohim se deri atëherë do të ketë zgjidhje për emrin që do të reflektohet në rekomandim , që do të thotë se sipas të gjitha gjasave, rekomandimi përsëri do të kushtëzohet -tha Simonida Kacarska, IPE.

Paralajmërimi për takim në Bruksel vjen një ditë pas vizitës së punës të kryebashkiakut të i Selanikut në Shkup. Jani Butaris madje ftoi kryeministrin Zaev që natën e vitit të ri ta pret pikërisht në Selanik, eventualisht bashkë me homologun e tij grek, Aleksis Cipras.

Alsat-M

Shpërndaj me