Gjatë këtij muaj Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov do të shkojë në vizitë zyrtare në Shqipëri, konfirmuan për Alsat përfaqësues të Ministrisë së Jashtme. Sipas tyre, Dimitrov së shpejti do të jetë nikoqir i Ministrit të Jashtëm të Kosovës. Megjithatë akoma nuk dihet data e takimeve e as nëse në këto takime, Dimitrov do të udhëtojë së bashku me kryeministrin, Zoran Zaev. Në pyetjen se kur Zaev do të vizitojë këto dy vendet fqinje zëdhënësi i ri i Qeverisë, Mile Boshnjakovski me përgjigje: Ndër prioritet kryesore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është avancimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve ndër-fqinjësore, kurse në një të ardhme të afërt janë planifikimet dhe intensifikimet e takimeve dypalëshe. Për të gjitha takimet në nivel të tillë, që janë në fazë të planifikimit do t’ju informojmë kur do t’i përcaktojmë datat e sakta.

Ndër prioritet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë është avancimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve ndërfqinjësor. Për të gjitha takimet në nivel dypalësh, që janë në fazë të planifikimit do t’iu informojmë kur t’i përcaktojmë datat e sakta– deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Vizitat e paralajmëruara sipas analistit, Albert Musliu do të përforcojnë dhe institucionalizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjithsesi për të pasur marrëdhënie të mira me këto dy shtete fqinje, Maqedonia duhet të sigurojë harmoninë e brendshme ndër-etnike.

Marrëdhëniet e mira me Kosovën dhe Shqipërinë varen pjesërisht, ose në pjesën më të madhe edhe prej harmonisë ndër-etnike në Maqedoni. Dmth Maqedonia nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë nëse marrëdhëniet ndër-etnike janë të tensionuara. Ashtu që besoj se në periudhën që vijon strategjia e partnerit maqedonas në Qeveri do të jetë për t’i përmirësuar, zbutur dhe intensifikuar marrëdhëniet ndër-etnike, së paku në bazë për ato pika që janë me relevancë për shqiptarët- tha analisti politik  Albert Musliu.

Kryeministri Zaev dhe delegacioni i Maqedonisë në kuadër të Samitit të Triestes takoi homologun shqiptar, Edi Rama dhe delegacionin e Shqipërisë. Që të dy u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit dhe politikave konstruktive në interes të qytetarëve të të dy vendeve.  Megjithatë krerët e politikës së jashtme të vendit akoma nuk kanë realizuar vizita të nivelit të lartë as në Shqipëri e as në Kosovë, ndërsa menjëherë pas marrjes së pushtetit u vizituan Athina dhe Sofja.

Anesa Aliti

 

Shpërndaj me