FIFA aprovoi, një Botëror me 48 skuadra, duke nisur nga viti 2026. Pas gati dhjetë vjetësh, në bazë të formulës së re, numri i ndeshjeve në Botëror do të jetë 80 nga 64 që është aktualisht, gjithsesi, skuadra që do të shpallet kampione, do të luajë vetëm 7 ndeshje. Evenimenti do të luhet në 32 ditë pasi klubet europiane kanë ushtruar presion të mos ketë zgjatje më të madhe kohore. Duke shpjeguar avantazhet e këtij zgjerimi të kërkuar me ngulm prej tij, presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino ka folur për kënaqësinë “përfshirjes së shteteve të vogla që do të sfidojë ato më të mëdhatë”. Kështu, edhe përfaqësueset jo me shumë histori të lavdishme, në të ardhmen do të kenë më tepër mundësi të marrin pjesë në turneun më të rëndësishëm të futbollit botëror. Për zonën e Europës do të shtohen të paktën 3 vende, nga 13 që janë aktualisht. E kjo rrit shanset për  kombëtaret e vogla. Në ndjeket ecja para e kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës, ky zgjerim mund të shihet si mundësi e madhe për të marë pjesë në një Botëror. Fitueset më të mëdha do të jenë gjithsesi kontinentet e Afrikës e Azisë që do të kenë nga 9 përfaqësuese, nga 4 që kanë deri tani. Ndër të tjera, zgjerimi do të sjellë edhe përfitime të mëdha ekonomike për FIFA-n, që pritet të ketë të ardhurat të shtuara prej rreth 600 mijë eurosh. Duke rritur kështu totalin në rreth 4 miliardë euro. Vetëm se formati i ri është aprovuar pa vendosur se ku do të luhet Botërori në 2026-n. Flitet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Infantino ka idenë e zhvillimit të një kampionati në disa shtete dhe nuk është çudi që ta vendosë në funksion pikërisht pas 10 vjetësh.

Shpërndaj me