Mbështetje e prodhimtarisë, eksportit, investimeve, qasje deri te kapitali i freskët përmes kredive të volitshme për ndërmarrjet, si dhe rritje të produktivitetit të punëtorëve përmes avancimit të procesit arsimor dhe vendosjen e arsimi dual. Këto janë një pjesë e masave që do të gjallërojnë, ekonominë e përgjumur vendore në vitin 2018. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore shprehen se rritja minimale e ekonomisë vendore prej 0,2% në tremujorin e fundit të vitit u jep shpresë se biznesi do të lëvizë nga pika zero. Por, konsiderojnë se për rritjen e ekonomisë nevojiten ligje cilësore që nuk do të ndryshohen shpesh dhe do të vlejnë për të gjithë.

Masat qeveritare për rritje ekonomike janë të mira, por vetëm në një masë të caktuar do të nxisin ekonominë vendore, konsiderojnë një pjesë e ekonomistëve anëtarë të Odës Ekonomike të Maqedonisë. Ata shprehen se për rritjen e ekonomisë pushteti duhet të rritë realizimin e investimeve kapitale.

Për të pasur përmirësim të gjendjes ekonomike, është i domosdoshëm nivel më i lartë i realizimit të investimeve kapitale të parashikuara në Buxhetin për vitin 2018, që vetëm në pjesën e shpenzimeve për infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore janë vendosur në 3.556 milionë denarë. Për të pasur zhvillim nevojitet së paku 20 deri 25 % të Prodhimit Bruto Vendor të investohet në produktet të reja, novacione, konkurrencë- thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Nga Oda Ekonomike Maqedonaso-Turke, nga ana tjetër, shprehen se Qeveria përveç masave nga plani për rritjen ekonomike, duhet të punojë edhe në pjesën e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të mundësojnë import dhe eksport të rritur të mallrave.

Ne si Odë angazhohemi për të vendosur bum investues mes Maqedonisë dhe Turqisë. Punojmë që të vijnë sa më shumë investitorë turq këtu dhe me liberalizimin e doganave mes dy vendeve presim edhe eksport të rritur nga Maqedonia drejt Turqisë- deklaroi Ajdovan Ademovski – kryetar i Odës Maqedonaso-Turke.

Për vitin 2018, Qeveria planifikon arkë më të madhe shtetërore në historinë e saj, që do të jetë e rëndë 3,44 miliardë euro. Planifikohet rritja ekonomike prej 3,2 për qind. Deficiti buxhetor ulet dhe do të arrijë 2,7% të GDP-së.

Verica Pavlovska 

Shpërndaj me